Sipas një studimi të kryer së fundmi, burrat që preken nga virusi kanë dy herë më shumë mundësi të vdesin nga sëmundja sesa gratë.
Studiuesit nga Kina bën të ditur se virusi godet më shumë burrat, të cilët e përjetojnë më rëndë. Në raportin e tyre theksohet se virusi jo vetëm paraqet ndryshime sipas moshës dhe gjendjes shëndetësore, por edhe gjinisë.
Jin-Kui Yang dhe kolegët e tij në Spitalin e Pekinit “Tongren” në Kinë, e vunë re këtë ndryshim tek pacientët me COVID-19 që ndërruan jetë.
“Në fillim të muajit Janar kemi vërejtur se numri i meshkujve që vdesin nga COVID-19 është më i lartë se numri i grave“, shprehet Dr Yang.
Ekipi analizoi disa të dhëna të pacientëve, për të përcaktuar nëse kishte dallime në mënyrën se si burrat dhe gratë reagojnë ndaj virusit. Kjo përfshin të dhëna për 43 pacientë që mjekët kishin trajtuar, si dhe të dhëna në dispozicion të publikut për 1,056 pacientë me COVID-19.
Mjekët gjithashtu analizuan të dhëna nga 524 pacientë me SARS në 2003, pasi viruset përgjegjëse për SARS dhe COVID-19 janë të ngjashme. Ato bashkohen me të njëjtën proteinë, të quajtur ACE2 në qelizat që sulmojnë.
Ekipi konfirmoi që të moshuarit dhe ata me probleme shëndetësore priren të preken më rëndë nga virusi dhe kishin më shumë mundësi të humbisnin betejën me sëmundjen.
Për më tepër, në databazën më të madhe COVID-19, më shumë se 70 përqind e pacientëve që ndërruan jetë ishin meshkuj. Analizat treguan gjithashtu një prirje të ngjashme për pacientët me SARS në vitin 2003, ku vihej re një shkallë më e lartë e vdekjeve tek meshkujt.
Të dhënat e nxjerra nga hulumtimi janë në përputhje me shifrat e fundit në Mbretërinë e Bashkuar nga Zyra për Statistikat Kombëtare, e cila gjithashtu shprehet se meshkujt e përjetojnë më rëndë sëmundjen.
Sipas “British Medical Journal”, në Itali meshkujt përbëjnë më shumë se dy të tretat e vdekjeve.
Sidoqoftë, studiuesit janë shprehur se kërkohen studime të mëtejshme për të përcaktuar saktësisht pse meshkujt që preken nga virusi e përjetojnë atë më keq se femrat.
Të dhënat e plota të studimit u botuan në revistën “Frontiers in Health Health”.