Sikundër edhe pritej, ish-kandidatja për presidente Hillary Clinton shpall publikisht mbështetjen e saj për Joe Biden i cili në nëntor do të përballet me Donald Trump për kreun e Shtëpisë së Bardhë. Më herët edhe ish-presidenti Barack Obama doli përkrah kandidatit demokrat.
Joe Biden është kandidati final i demokratëve, pas largimit nga gara të senatorit Bernie Sanders. Biden ka qenë zv/president në kohën kur në krye të Shtëpisë së Bardhë ishte Barack Obama, ku ai shërbeu së bashku me Hillary Clinton kur ajo ishte sekretare e shtetit dhe të dy në vitin 2016 u konsideruan kandidatët presidencialë.
Biden vendosi të mos garonte atë vit për shkak të ndarjes nga jeta të djalit të tij. Por në zgjedhjet presidenciale të 2020 ai konsiderohet një sfidant i fortë përballë republikanit Donald Trump.