Bota Task Forca në Lombardi nxjerr faktin e ri: COVID-19 ka qarkulluar në...

Task Forca në Lombardi nxjerr faktin e ri: COVID-19 ka qarkulluar në Milano që nga 26 janari

“Tgcom 24” raporton se të paktën dhjetëra persona e kishin marrë virusin në Milano që në janar dhe rreth 600 gjithsej në rajonin e Lombardisë që sot është rajoni më i prekur nga COVID-19.

Kjo është analiza më e fundit që vjen nga task-forca e shëndetësisë në rajonin e Lombardisë. Sipas tyre virusi qarkullonte mes njerëzve që në atë periudhë, por ishte ngatërruar me një grip normal sezonal.

Sipas analizës së grupit të punës që në 26 janari, që është riemëruar si “Dita 0”, në Milano kishte tashmë 46 raste me Covid-19, ndërsa në Lombardi kishte 543 raste.

Por “zilja e alarmit” jepet vetëm nga Codogno, kur të gjithë e kuptojnë se virusi kishte hyrë në shtëpitë e tyre dhe fillon bërja e tamponëve në kërkim të të infektuarve. Dhe deri dje në Lombardi janë infektuar me koronavirus 74.348 persona.

Të gjithë besuan se ishin aeroportet kanalet e transmetimit të virusit dhe të gjithë ishin të përqendruar atje. Por përkundrazi, tashmë ishin ata 46 milanezë që kishin marr virusin në fund të janarit dhe që shumë shpejt e transmetuan atë tek të tjerët.

Kujtojmë që në Wuhan që është dhe epiqendra e koronavirusit më 22 janar fillon karantina, ndërkohë që virusi qarkullonte që në dhjetor por që konsiderohej një ‘bronkit normal’.

Dhe në datën 7 janar autoritetet e Pekinit identifikojnë një lloji të ri të koronavirusit. Më 10 janar, Organizata Botërore e Shëndetësisë flet për përhapjen e një epidemie të re.