Mendimi i mjekëve shqiptarë se virusi CoVid-19 ka qenë prezent që në shkurt në Shqipëri gjen një konfirmim të tërthortë nga Italia. “Corriere della Sera” shkruan se koronavirusi është identifikuar në Lombardi të paktën që në 26 janar 2020 dhe në këtë periudhë vlerësohet se ka patur 1200 të infektuar në zonë. Nga kjo datë deri më 21 shkurt kur u deklarua rasti i parë pozitiv në Codogno ka kaluar një muaj fatal gjatë të cilit virusi është përhapur masivisht dhe pa asnjë kontroll.
Përfundimi ka dalë nga vlerësimet e task-force sanitare të rajonit të Lombardisë sipas të cilës më 26 janar, Dita 0, vetëm në Milano mendohet se ishin 46 të prekur nga 543 në mbarë Lombardinë.
“Tamponet për kërkimin e koronavirusit nisin të regjistrohen nga 21 shkurti, kur vendi zgjidhet dhe kuptohet se epidemia ka mbërritur. Nëse shihet rritja progresive e të infektuarve, kurban nis të ngjitet pikërisht nga 21 shkurti dhe kulmon më 28 prill me 74 348 të infektuar në Lombardi. Krahas zbulimit dhe certifikimit të pacientëve pozitivë u kërkua edhe koha e simptomave të para. 9 persona kanë patur simptomat e para më 12 shkurt, 13 më 15 shkurt, 10 më 18 dhe 35 më datën 20 shkurt, një ditë para rastit të parë të konfirmuar zyrtarisht”, shkruan gazeta.
Nisur nga kjo analizë dhe nga fakti se pranohet gjerësisht se në Shqipëri virusi u importua nga Italia, gjen kuptim hamendësimi se në dy javët e fundit të shkurtit virusi të ketë ardhur në vendin tonë. Lidhur me përgjegjësitë mbi këtë zbulim të institucioneve tona, nuk ka se çfarë të thuhet pasi askush para rastit të Italisë nuk e mori seriozisht as edhe nisi hetim epidemiologjik, shkruan Respublica.