Një studim analitik i Universitetit të Teknologjisë dhe Dizajnit të Singaporit me rastet e infektimeve në Shqipëri, parashikon që pandemia e koronavirusit do të marrë fund rreth datës 2 gusht. Universiteti thekson se parashikimi bëhet vetëm për arsye studimi, ndërsa paralajmëron se për shkak të dinamikës, gjendja mund të ndryshojë.
Fundi i pandemisë do të thotë se rreth datës 2 gusht të këtij viti, bazuar në ecurinë e deritanishme, Shqipëria do të regjistrojë zero raste të reja me Covid-19.
Në nivel global, ky studim parashikon se pandemia do të përfundojë rreth datës 1 dhjetor 2020, duke marrë parasysh hyrjen e stinës së dimrit në hemisferën jugore të planetit.
Në lidhje me rajonin, bie në sy se në vendet e tjera, si në Greqi, Maqedoninë Veriore apo në Serbi, pandemia do të përfundojë më shpejt, pavarësisht se kanë më shumë raste të infektuarish me koronavuris apo dhe viktima.
Kështu sipas studimit, në Maqedoninë e Veriut, pandemia do të përfundojë më 22 maj, shumë më shpejt se vendet e tjera të rajonit. Në Greqi, studimi parashikon se pandemia do të përfundojë më 23 maj, ndërsa në Serbi më 8 qershor.
Deri tani autoritetet në vend kanë paralajmëruar një hapje graduale të vendit dhe heqje të masave kufizuese hap pas hapi, përfshirë dhe hapjen e pjesshme të plazheve.
Kurse, në Itali, pritet që epidemia të zhduket 100 % më 10 tetor. Ndërsa, në Shtetet e Bashkuara që janë edhe vendi më i prekur në botë nga virusi, parashikohet në shtator.
Universiteti thekson se parashikimi bëhet vetëm për arsye studimi, ndërsa paralajmëron se gjendja mund të ndryshojë në varësi të mutacioneve që pëson virusi apo edhe lëvizjeve të popullatës.