Politika Rama: Ore jeni në vete, apo i keni lëshuar pëllumbat?!

Rama: Ore jeni në vete, apo i keni lëshuar pëllumbat?!

Kryeministri Edi Rama, në një video-mesazh në Facebook, duke përdorur tone ironie, i është përgjigjur kritikave që ka marrë gjatë kësaj periudhe pandemie.

Rama thotë se nuk duhet humbur vigjilenca dhe se rregullat duhet të zbatohen edhe pas hapjes graduale që po bëhet.

“Si mendoni ju që shani dhe mallkoni pa pushim? Nuk kanë lidhje këto rezultate me këto masa dhe hapa që kemi hedhur në kohën e duhur deri më tani? Apo mendoni se Covidi i ka marrë me të mirë shqiptarët, apo se janë trima dhe ta japin në lule të ballit po u dole përballë? Jo more miq, janë këto masa që kemi ndërmarrë që kemi arritur deri këtu, falë pjesës dërrmuese të qytetarëve të këtij vend, me sjelljen e tyre super të përgjegjshme… Jo po pse oraret kështu, jo po pse ashtu, jo po pse nuk dalin pensionistët, jo po pse e shtuna mbyllur, jo po pse e shtuna hapur… hyp se të vrave, zbrit se të vrara.

Jo po pse nuk përgjigjesh o komunist, jo po pse kështu o sulltan, jo po o legen pa din e iman që tallesh me popullin, se populli po vdes, se populli është dele, se populli këtej, se populli andej, po mirë e ka ky popull, me këtë popull qe e gjete, po të gjeti… Ore jeni në vete apo i keni lëshuar pëllumbat përfundimisht?! Flasin disa populli, populli, por lidhje s’kanë as me popullin as me atë për të cilën po flasin, por prapë flasin dhe nuk pushojnë… Mendjen po, e kanë pushim”.

Rama kërkoi një ndërgjegjësim më të madh të qytetarëve që të mos luajnë me zjarrin, por të shtojnë më tepër kujdesin tashmë që jeta ekonomike dhe sociale është hapur, pasi edhe rreziku i infektimit nga virusi është më i madh.

“Armiku i padukshëm nuk është fantazmë dhe nuk ka ikur, virusi është këtu. Është prapa derës dhe matanë dritares së shtëpisë, ëshë rrotull nesh sapo nxjerrim kokën nga shtëpia. Kemi ripahur aktivitetin ekonomik më shumë se vendet e tjera. Ju lutem të gjithëve, këtu nuk luhet dot me zjarrin, nuk vihen dot baste. Nuk mjaftojnë as ligjet, as kodi penal, as policia, as kontrollet, as ushtria nëse nuk jeni ju roje të shëndetit tuaj. Ky armik është real dhe ne duhet të ndryshojmë qasje, sjellje, mënyrë të menduari dhe të organizuari të jetës tonë të përditshme.

Ju duket se të qeverisësh është rehat, të pasurohesh, por jo aspak. Të qeverisësh është të rrish pa gjumë, të jesh vetëm në majë ku fryjnë erërat nga të gjitha anët. Po të thoshit ik sot nga kjo zyrë se po ike ti Covidi do të ikë nesër sot do të ikja duke ju dhënë lamtumirën me lumturinë më të madhe. Ju lutem të mos e bëjmë si lopa. Tani që po hapemi nëse nuk vazhdoni të jeni roje të vetes dhe familjes unë nuk do të mundem t’ju mbroj më jetën dhe shëndetin si deri sot. Kemi vetëm një rrugë nga duhet dhe do të dalim, rruga që na nxjerr me rezultatin më të mirë siç e kemi”.