Politika Rama flet për “Benzinaton” në Lungomare: Peshqesh nga Gjykata e Lartë

Rama flet për “Benzinaton” në Lungomare: Peshqesh nga Gjykata e Lartë

Kryeministri Edi Rama inspektoi punimet e fazës së dytë të shëtitores bregdetare në qytetin e Vlorës, ku së fundmi në media është publikuar një lajm se palmat u shkulën disa palma për t’i hapur rrugë ndërtimit të një pike karburanti.

Rama thotë se pika e karburantit mbeti aty si pasojë e një vendimi të Gjykatës së Lartë, ndërsa për punimet deklaron se ndërhyrja është bërë për zbatimin e projektit të arkitektit për “të fshehur” këtë pikë karburanti.

“Sikundër e kam denoncuar publikisht, “Benzinatua” u ndalua nga Gjykata e Lartë të shpronësohej, me një nga vendimet më skandaloze të historisë së shpifur të Drejtësisë së Vjetër! Kështu “benzinatua” mbeti aty si një çiban dhe arkitekti i famshëm belg i Lungomares, Xavier de Geyter, konceptoi një objekt – skulpturë urbane (strehën e zezë në formë kryqi), duke ia përshtatur estetikisht atij segmenti të shëtitores. Objekti tanimë është realizuar si një vlerë e shtuar, duke e “ambalazhuar” me sukses peshqeshin e mbetur aty nga Gjykata e Lartë”, thotë Rama.

Kryeministri thotë se nga kjo ndërhyrje është shkulur vetëm një palmë dhe ajo do të zëvendësohet.

“Kështu që fjalët mbrapsht atyre për sot dhe nesër si gjithnjë për çdo punë që bëj unë, “benzinatua” do të kalojë nga fletët e Librit të Sharjeve në albumin e ndërhyrjeve urbane, që kanë ndryshuar e do të ndryshojnë më tutje faqen e qyteteve tona, në funksion të zhvillimit të mëtejshëm ekonomik e turistik të vendit”, u shpreh Rama.