Harrojini qytetet e mëdha si San Franciskoja apo Torontoja. Bukureshti, kryeqyteti rumun është kurorëzuar si vendi më i mirë për të punuar në distancë.
Nga Marcel Gascón Barberá – BIRN, Bukuresht
Faqja britanike BroadbandDeals.co.uk këtë muaj publikoi një listë të “qyteteve më të mira dhe më të këqija për të punuar në distancë”, një praktikë gjithnjë e më popullore në një kohë distancomi social të imponuar nga pandemia e koronavirusit.
Kryeqyteti i Rumanisë, Bukureshti, kryeson listën, i ndjekur nga Hjustoni, Las Vegasi dhe Atlanta, të gjithë në SHBA. Kryeqyteti hungarez, Budapest, u rendit në vendin e katër, para San Franciskos.
Bukureshti ia kaloi të gjithë konkurrentëve të tij falë lidhjeve të tij të lira, të besueshme dhe të shpejta në internet dhe faktorëve të tjerë që studiuesit morën parasysh, të tilla si kostoja e jetesës dhe e një laptopi, numri i punëve që lejojnë punën në distancë dhe disponueshmërisë e kompanive që ofrojnë shërbimin e sjelljes së ushqimit në shtëpi.
“4.33 për qind e vendeve të punës në qytet u dhanë punëtorëve mundësinë për punë në distancë, kjo ishte më e larta nga të gjitha qytetet në indeks,” thotë përmbledhja e studimit.
Bukureshti “mori gjithashtu shumë pikë për shpejtësinë e internetit, duke u renditur i katërti me një shpejtësi interneti prej 52 Mbps, dhe i 7-ti për koston e jetesës prej 421 paundësh (ose 483 eurosh) në muaj”, shton ai. Burimet e të dhënave mund të shihen në fund të raportit.
Drejtori menaxhues i BroadbandDeals.co.uk, Ben Tibbits, tha për BIRN nëpërmjet postar elektronike se “Bukureshti ka një përzierje të përsosur të kostos së jetesës, shpejtësisë së internetit dhe disponueshmërisë së punëve fleksibile” për ata që punojnë në distancë.
Përveç faktorëve të vlerësuar në indeks, Tibbits thekson: “Bukureshti ka përjetuar një bum teknologjik vitet e fundit, me kërkesë për shumë role në teknologji dhe IT”.
“Sipas një raporti të vitit 2018 nga undelucram.ro shtatë nga 10 punëdhënësit më të mirë në vend ishin nga industria IT&C. Kjo përfshinte kompani të tilla si Microsoft, Oracle, IBM dhe Zitec”, thotë Tibbits.
“Punët e teknologjisë zakonisht e bëjnë më të lehtë për punonjësit që të punojnë në distancë, pasi shpesh për punë nevojitet vetëm një laptop dhe një lidhje interneti”, shpjegon ai. “Kjo mund të ndihmojë për të shpjeguar pse Bukureshti ka një përqindje kaq të lartë pune në distancë të disponueshme në qytet dhe pse ky qytet është një nga më të mirët për punonjësit që punojnë në distancë.”
Suksesi i Rumanisë në ofrimin e disa prej lidhjeve më të mira të internetit në botë shpjegohet pjesërisht nga katër dekadat që ai kaloi në komunizëm. Paradoksalisht, mungesa e zhvillimit të internetit në Rumani gjatë kohës së komunizmit do t’i jepte atij më vonë një avantazh krahasues me vendet demokratike, ku bota mbarëbotërore filloi të zgjerohej më herët.
“Në Rumani, ne kemi një infrastrukturë disi më të mirë të internetit sesa në shumë vende të tjera, veçanërisht ato në Europën Perëndimore, sepse infrastruktura këtu është e re”, u pajtua Vlad Craioveanu, themeluesi i Impact Hub në Bukuresht.
“Në Rumani interneti u zhvillua në vitet 1990 dhe 2000”, kujton Craioveanu, duke iu referuar periudhës së tranzicionit pas rënies së komunizmit në vitin 1989.
“Ne kaluam direkt nga telefoni klasik tek interneti, kështu që infrastruktura që u ndërtua ishte e re dhe e aftë për të ofruar një gamë më të mirë dhe më të gjerë shërbimesh”, shton Craiovenau.
Ky avantazh krahasues i dha mundësinë kompanive në Rumani të ofrojnë shërbimet e tyre me një çmim të mirë, pasi ato mund t’i instalonin teknologjitë më të reja nga e para, duke kursyer sasinë e madhe të parave që ishin të nevojshme në vendet perëndimore për të zëvendësuar kabllot e bakrit me fibër optike.
Edhe pse sektori i internetit dominohet kryesisht nga korporatat e mëdha, edhe shfaqja e ofruesve të vegjël të këtyre shërbimeve gjithashtu ndihmoi për të mbajtur të ulëta çmimet në Rumani pas mbërritjes së rrjetit botëror.
“Pjesërisht për shkak se shteti nuk kishte asnjë të dhënë për këtë lloj gjëje dhe nuk e rregulloi sektorin e internetit, kompanitë që ofrojnë shërbime kanë ecur përpara dhe kanë bërë më të mirën që mundën”, shpjegon konsulenti i IT, Bogdan Trifan.
Këto kompani të vogla të krijuara nga rumunë të rinj zgjuar janë shtuar shumë në qytetet rumune që nga vitet 1990 dhe filluan të përdornin infrastrukturën e tyre në zonat e tyre, duke detyruar kompanitë e mëdha në sektor të përpiqen më shumë për të tërhequr klientë.
Efektet e të gjithë kësaj shpjegohen në indeksin BroadbandDeals.co.uk, por i dëgjon edhe teksa bisedon me profesionistë nga Rumania dhe jashtë vendit, të cilët vlerësojnë kushtet e shkëlqyera të punës të ofruara nga Bukureshti dhe qytetet e tjera të mëdha rumune.
Mihaela Noroc, themeluese dhe autore e Atlas of Beauty, e konsideron Rumaninë një qendër të përsosur për një projekt fotografik që synon të pasqyrojë “diversitetin e planetit tonë” përmes portreteve të grave.
“Në gjashtë vitet e kaluara, 80 për qind të kohës e kam kaluar duke udhëtuar dhe duke fotografuar gra në më shumë se 70 vende. Por pasi bën fotografitë, të duhet një vend ku të ndalosh, të zgjedhësh, përpunosh dhe të shkruash historitë dhe të dërgosh materialet”, thotë Noroc për BIRN nga Bukureshti.
“Jam e lumtur që jam dhe kthehem vazhdimisht këtu, sepse është shtëpi, por gjithashtu një qendër e përkryer për Atlasin tim të Bukurisë”, shpjegon ajo. “Në vendet e tjera, paguaj shumë më tepër për internetin kurse këtu kam internet të pakufizuar me shpejtësi të lartë për shumë më pak euro. Qiratë janë gjithashtu të lira dhe gjithmonë gjej vend lehtësisht kur kthehem në Bukuresht.”
Frank Elbers i lindur në Surinam, një gazetar i pavarur dhe studiues i lidhur me Universitetin e Bukureshtit, ka pasur një përvojë të ngjashme.
“Jam mësuar të punoj nga shtëpia për shumë vite me radhë dhe më pëlqen të shkruaj nga kafeneja të paktën për gjysmën e ditës”, thotë Elbers për BIRN. “Bukureshti është përsosur për këtë stil pune dhe jetese. Interneti është i shpejtë, i lirë dhe i besueshëm. Shumë kafene këtu kanë internet të shkëlqyer dhe kanë hapësirë të madhe, ndryshe nga qytete si Nju Jorku apo Toronto”, shton ai.
Ai ka vetëm një ankesë në lidhje me kryeqytetin rumun dhe nuk ka aspak lidhje me shpejtësinë e internetit: “Duhet ta pranoj se çmimi mesatar i një makiatoje më duket akoma u lartë në Bukuresht.”
Lucian Grigorescu, një specialist IT në bankën BRD në Rumani, është një tjetër që i pëlqen të punojë jashtë kryeqytetit rumun.
Ai zakonisht udhëton për punë dhe shpesh punon nga distanca nga qytete të ndryshme në Europë dhe Azi. Grigorescu përmend rastet e Luksemburgut, ku shpejtësia mesatare e internetit është më e ulët sesa ajo në Bukuresht dhe kostoja e të jetuarit shumë më e lartë. Ndërkohë që është edhe Athina, ku interneti është më i dobët dhe qyteti është gjithashtu më i shtrenjtë se kryeqyteti rumun.
“Përveç Bukureshtit, qyteti im i preferuar për punë në distancë është Kishinau, ku interneti është i mirë dhe kostoja e jetesës është më e ulët se në Bukuresht”, thotë Grigorescu për BIRN.