Duke filluar nga dita e nesërme 4 Maj, kompania shqiptare “AirAlbania” do të nisë fluturimet për të riatdhesuar të gjithë qytetarët shqiptarë që kanë mbetur jashtë vendit si pasojë e mbylljes së kufijve.
Për t’u kthyer në atdhe, qytetarët që kanë mbetur jashtë Shqipërisë, duhet të rezervojnë biletën në faqen e kompanisë “AirAlbania”. Aty duhet të deklarojnë adresën e saktë të banimit të tyre, për qëllime të karantinimit.
Këtë deklarim do të duhet ta bëjnë edhe përmes një formulari që do t’u jepet në bordin e avionit.
“Të gjithë shqiptarët që do të riatdhesohen duke filluar nga data 4 Maj, duhet të aksesojnë direkt faqen “AirAlbania” për të kryer rezervimin e biletës dhe për t’u rikthyer në atdhe. Gjatë këtij procesi ju duhet të deklaroni adresën tuaj të banimit, pasi të gjithë ata qytetarë të cilët banojnë në zonat e deklaruara të gjelbërta tashmë nga Ministria e Shëndetësisë, do të duhet të karantinohen 14 ditë në hotelet e përshtatura si struktura karantinuese COVID-19. Ndërkohë, të gjithë qytetarët të cilët banojnë në zonat e shpallura si zona të kuqe, do të vetëkarantinohen në banesat e tyre me përgjegjësi të plotë dhe të monitoruar nga Policia e Shtetit.
Për t’u qartësuar më tej, secili nga qytetarët që do të aplikojë për një biletë, duhet të deklarojë me përgjegjësi të plotë ligjore vendbanimin e tij. Pra nuk është më i nevojshëm prenotimi i hotelit në fillim, pasi banorët e zonave të gjelbërta që do të riatdhesohen, do të klasifikohen për karantinë menjëherë pas rezervimit të biletës. Gjatë udhëtimit tuaj në bordin e “AirAlbania”, ju do të keni një formular. Ky formular quhet formulari i vetëdeklarimit, ku me përgjegjësi të plotë ligjore do të shkruani edhe njëherë adresën tuaj të banimit dhe më pas do ta firmosni. Ky formular ju ngarkon juve me përgjegjësi ligjore dhe në rast të deklarimit të rremë, do të aplikohen masat penale. Policia e Shtetit do të monitorojë të gjithë procesin nga momenti i mbërritjes tuaj në aeroportin e Rinasit”, sqaroi ministrja Belinda Balluku.