Nuk ka rëndësi se sa vështirësi ekonomike po shkakton pandemia e koronavirusit, ka gjithmonë njerëz që gjejnë një mënyrë për të fituar.
Në një shkrim, RT rendit pesë njerëz të cilët në një mënyrë apo një tjetër po përfitojnë nga pandemia e COVID-19, që ka ndryshuar mënyrën e jetesës së njerëzve në gjithë botën në këto muaj.
Boris Johnson
Në vend të shpjegonte pse politikat e tij nuk bënë asgjë për të penguar që mijëra në vendin e tij të vdisnin, Johnson u infektua dhe vetë nga koronavirusi duke u shndërruar në hero. Kaloi dy javë në shtrat duke luftuar kundër virusit vdekjeprurës dhe falenderoi infermierët që u kujdesën për të.
Pavarësisht se në fillim e mohonte rrezikun e pandemisë dhe veproi me vonesë për karantinën, Johnson e ka një justifikim për të zhvendosur disa nga fajet e tij tek të tjerët, që është gjëja më e rëndësishme në politikë. Oh, e fejuara e tij ka sjellë në jetë një fëmijë.
Joe Biden
Kandidati i mundshëm i demokratëve që do të sfidojë Donald Trump në zgjedhje, ka mbajtur një profil shumë të ulët gjatë krizës Covid-19, dhe kjo nuk është rastësi.
Kur Donald Trump sugjeronte që injektimi i dezinfektuesve mund të kuronte koronavirusin, nuk kishte nevojë që Biden të përfshihej në fushatë. Sa më pak të flasë ai në publik, aq më të larta janë shanset e tij për të fituar. Pandemitë globale kanë tendencën të tërheqin vëmendjen nga çdo akuzë që mund të lindë. Kujtojmë këtu akuzat ndaj tij për ngacmim seksual nga një ish-ndihmëse e tij.
Jacinda Ardern
Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern i vodhi zemrat e të gjithëve që në fillim të kësaj krize. Ajo shpalli “lepurushin e Pashkëve” një punëtor të domosdoshëm, duke i lejuar të gjithë ata punonjës që bëjnë këtë rol, të vazhdojnë t’u japin fëmijëve vezë për festën e Pashkëve.
Dhe tani ajo thotë se koronavirusi është “eleminuar” nga vendi i saj. Cili është sekreti? Ardern i mbylli të gjitha shpejt dhe me efikasitet.
Jeff Bezos
Pandemia ka provuar përtej çdo dyshimi se Jeff Bezos është një gjeni. Ai ka krijuar një kompani që bën miliarda nga lumturia, mjerimi dhe gjithçka tjetër.
Nëse blini sende ushqimore në internet, maska mbrojtëse për fytyrën apo ndonjë libër për të lexuar gjatë izolimit, mund të jeni të sigurt vetëm për një gjë: po ndihmoni për të rritur çmimin e aksioneve të Amazon.
Ndërsa pjesa tjetër e tregut po rrëzohej, vlera neto e Bezos po rritej më shpejt sesa shkalla e infeksioneve në SHBA.
Bill Gates
Nga një miliarder tek një tjetër, Bill Gates i Microsoft po e shfrytëzon plotësisht pandeminë për t’u kujtuar të gjithëve se ai e parashikoi diçka të tillë gjatë një fjalimi në vitin 2015. Shumë njerëz të tjerë kanë parashikuar të njëjtën gjë gjithashtu, por ata nuk kanë kërkuar meritat njëlloj siç po bën Bill Gates.
Ai mendon se vetëm përdorimi i aplikacionit të “gjurmimit të kontaktit” dhe një bazë të dhënash qendrore mund të mposhtin përfundimisht virusin. Tingëllon si diçka për të cilën kompania e tij e “Microsoft” mund të ndihmojë, për një tarifë të vogël.