Bota Conte: Nesër nisim bashkëjetesën me virusin, duhet të jemi të përgjegjshëm

Conte: Nesër nisim bashkëjetesën me virusin, duhet të jemi të përgjegjshëm

Nga nesër mbi katër milionë italianë do të kthehen në punë, ata do të lëvizin me transport publik, ndërkohë që shumë kompani dhe fabrika do të rifillojnë punën, deklaroi kryeministri italian, Giuseppe Conte, në prag të fillimit të fazës së dytë të urgjencës së pandemisë.

”Dhe do të ketë shumë më tepër mundësi për infeksione të mundshme, që ne mund ta shmangim vetëm falë një ndjenje edhe më të madhe përgjegjësie. Si asnjëherë më parë, e ardhmja e vendit do të jetë në duart tona. Sa më skrupulozë të jemi, aq më shpejt do të jemi në gjendje të rimarrim hapësirat e tjera të lirisë. Ne nuk e humbim atë që kemi fituar… ne duhet të jemi skrupulozë”, shtoi ai në një shënim në Facebook.

“Ne të gjithë do të duhet të ndryshojmë marshin e vendit. Me maturi, unë jam i vendosur  të vazhdoj, por pa rrezikuar ndalimin e motorit. Nuk ka recetë të duhur për të garantuar rifillimin, pa menduar para së gjithash për shëndetin dhe sigurinë e të gjithëve. Së bashku do t’ia dalim”, thotë Conte.

“Nesër do të fillojë faza e dytë e urgjencës, ajo e bashkëjetesës me virusin. Do të jetë një faqe e re që të gjithë do të duhet të shkruajmë së bashku, me besim dhe përgjegjësi”, thekson ai.

“Do të kemi nevojë për bashkëpunim, sens qytetar dhe respekt për rregullat. Gjithmonë do të na duhet të mbajmë lart vëmendjen, të ruajmë distancën ndërnjerëzore, të veshim maskën kur dhe ku është e nevojshme, të lajmë duart shpesh dhe me kujdes. Ne nuk e prishim atë që kemi fituar për 50 ditë”, deklaroi kryeministri italian, Giuseppe Conte, në prag të fillimit të fazës së dytë të urgjencës së pandemisë.