Mjeku Pëllumb Pipero shprehet se lehtësimi i masave është i nevojshëm, por që duhet të shoqërohet me kujdes të vazhdueshëm të qytetarëve, për masat e higjienës.
Ai thotë se qytetarët duhet të shfrytëzojnë zgjatjen e fashës orare për të qëndruar sa më shumë në diell për të ecur, ndërsa shton se nuk duhet të ketë grumbullime njerëzish.
“Zgjatjen e fashave orare duhet ta shfrytëzojmë për të dalë sa më shumë në diell dhe për të ecur, por jo për t’u grumbulluar. Si specialist i shëndetit publik, do të thoja se sa më shpejt të lirohen masat aq më mirë do të jetë për shëndetin e qytetarëve dhe për relaksimin e tyre.
Strategjia e OBSH-së konsiston në hapjen rajonale, është gjëja më e mirë që mund dhe duhet të bëhet. Duhet paraprirë me informacion për publikun, dhe me rekomandimet ndaj tyre për kujdes. Duhet t’iu shpërndahen dhe informacione qytetarëve dhe me broshura, për të treguar si duhet të jetë sjellja e tyre. Me këtë virus me kaq shumë të panjohura, asnjëherë nuk mund të ketë perfeksion, është e nevojshme që të bashkëveprojmë me njëri tjetrin në mënyrë që ta kalojmë me sa më pak dëme”, u shpreh Pipero.
Mjeku tha më tej se në Vlorë vuri re se një pjesë e mirë e qytetarëve ruanin distancën, ndërkohë që shtoi se mjaft banorë i shihte më të relaksuar në qytet.
“Në Vlorë pashë qytetarë që respektonin distancën, pashë një pjesë të tyre me maska, mirë është që ata që kanë ndonjë merak ti mbajnë, i pashë qytetarët më të relaksuar, dhe ajo që më bëri përshtypje është se ata që më shihnin më pyesnin doktor si je, më vjen mirë që fjalët e tona kanë mbërritur dhe ata, kjo do të thotë se ne përmes mediave kemi përçuar mesazhet e duhura”, tha Pipero.
Ndërkohë që i pyetur më tej për rikthimin e aktiviteteve sportive, Pipero tha se ai e sheh me vend që futbolli mund të hapet, pasi është një sport në mjedise të hapura, dhe është dinamik, që nuk nënkupton që të qëndrojë në një vend për rreth 15 minuta.
”Sportistëve duhet t’iu matet temperatura, dhe nëse kanë persona të moshuar në shtëpitë e tyre t’iu qëndrojnë larg. Për mua, për 2 ose 3 javë mund të hapet futbolli. Unë do të isha shumë i lumtur nëse specialistët do e dëgjonin fjalën time në këtë rast”, tha më tej mjeku i njohur.