Kreu i qeverisë Edi Rama është shprehur i revoltuar me disa biznese të mëdha që sipas tij u kanë kthyer kurrizin punëtorëve të tyre, duke mos aplikuar për pagën 40 mijë lekë të vjetra, që shteti ua ka vënë në dispozicion.
“Në mënyrë të përsëritur, individë që përfitojnë nga Paketa e Zgjeruar, më shkruajnë në Whatsap, drejtohen këtu (ku u lutem të jenë konkretë e të lënë të dhëna të sakta për biznesin ku kanë punuar, jo komente të përgjithshme), në Ministrinë e Financave ose tek Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, e me plot të drejtë ankohen se punëdhënësi i tyre (disa subjekte në kategorinë biznes i madh), nuk aplikon për ta dhe kësisoj ata nuk po e marrin dot ende Pagesën 40 mijë Lek! Bëhet fjalë për punonjës të larguar nga puna deri në datën 10 prill, të cilëve një numër jo i madh po as i vogël punëdhënësish u kanë kthyer kurrizin! Kjo është e patolerueshme!”
Edi Rama thotë se pas këtyre ankesave, do të nisin gjobat për biznesin e madh.
“Sot ne do të miratojmë një gjobë për bizneset e mëdha, që tradhtojnë me këtë papërgjegjshmëri të plotë sociale punonjësit e tyre, duke mos marrë mundimin të bëjnë aplikimin në emër të kompanisë për ta! Kush nuk do ta marrë mundimin të aplikojë tek tatimet, që punonjësit të marrin pagesën 40 mijë lek, do të gjobitet për çdo punonjës që ka braktisur në këtë mënyrë të patolerueshme!”
Duke i paralajmëruar, Rama u bën thirrje që të aplikojnë menjëherë për pagat që u takojnë punonjësve të tyre.
“Pikë e zezë! T’u mohosh punonjësve të tu një pagesë që s’ua jep ti po shteti!!! Le të provojnë të mos e bëjnë urgjent dhe e shohim sa mirë do u dalë kjo papërgjegjshmëri sociale!”
Ndërkohë ai shprehet se vijon shpërndarja e ndihmës financiare dhe këtë javë nis lëvrimi i këstit të dytë të pagës së luftës, si edhe ndihmës ekonomike dyfish.
“Po vijojmë të asistojmë rreth 3 mijë individë që nuk kanë aplikuar për Pagën e Luftës, si edhe një numër individësh të tjerë, të cilëve u është miratuar, por ende jo lëvruar paga për shkak të pasaktësisë në aplikime, ku nuk kanë njoftuar kodet e duhura bankare. Asnjë s’do mbetet pa marrë atë që i takon me ligj e me zakon!”