Bota Italia kthehet në punë: Lëvizje e lirë brenda rajonit, vizita tek të...

Italia kthehet në punë: Lëvizje e lirë brenda rajonit, vizita tek të afërmit, dalje në parqe

Italia ka hyrë në fazën e dytë të luftës kundër pandemisë Covid-19, duke lehtësuar masat e karantinës pas dy muajve izolim të rreptë.

Vendi europian më i goditur nga koronavirusi lejoi të hënën qytetarët e vet të lëvizin lirshëm brenda rajonit, të vizitojnë të afërmit, të dalin në parqe duke respektuar rregullat e distancimit 2 metra nga tjetri dhe të kryejnë porosi për në shtëpi nga baret dhe restorantet italiane.

“Lëvizja e lirë nuk ka të krahasuar me të kaluarën, por edhe këtë liri që kemi tani e vlerësojmë më shumë së më parë.”

“Jam pak e frikësuar me gjithë situatën. Nuk ka për të qenë më jeta normale, por një ndryshe për të gjithë”, shprehen dy prindër të rinj italianë.

Rreth katër milionë persona iu rikthyen punës më 4 maj në fushën e ndërtimit dhe fabrikave.

U vunë sërish në funksion edhe mjetet e transportit lokal dhe taksitë, edhe pse gjysmë boshe, është rritur numri i personave që lejohet të marrin pjesë në funerale, ndërsa mbajtja e maskave është bërë e detyrueshme në ambientet e brendshme publike.

Italia të dielën raportoi se 174 persona nuk i mbijetuan dot sëmundjes në 24 orë, numër ky më i ulëti që prej 10 marsit, që e çoi mbi 28 mijë bilancin tragjik.

Megjithatë, në rritje të përditshme është edhe përqindja e personave të shëruar nga Covid-19.

Për muzetë dhe dyqanet, autoritetet planifikojnë rihapjen graduale pas 18 majit, dhe baret, restorantet e floktoret do rifillojnë aktivitetin pas 1 qershorit nëse trendi i infeksionit qëndron pozitiv si tani.