Ekonomi Pasojat e tërmetit, qeveria prezanton planin për rindërtimin e Krujës

Pasojat e tërmetit, qeveria prezanton planin për rindërtimin e Krujës

Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se është hartuar dhe bërë gati plani i rindërtimit të Krujës, pas tërmetit të vitit që shkoi i cili shkatërroi shumë banesa në këtë zonë.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, shpjegoi planin me detaje, ndërsa theksoi se hapësira e zhvillimit, ku është miratuar për të ndërtuar shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti ka një hapësirë  prej 9.5 hektarësh.

Teksa dëgjoi detajet e planit, Rama prezantoi një ofertë për qytetarët që preken nga ky plan ndërtimi. Kryeministri foli konkretisht për shpronësimit e qytetarëve që preken nga zona e rizhvillimit. Ai theksoi se nuk e mbështet faktin, që pronarët e dëmtuar të kompensohen me para në dorë, por t’u propozohet atyre si kompensim një truall apo pronë në zonë të re.

“Ata që do të humbin një objekt apo një hapësirë, ju propozohet që të marrin si kompensim nga ndërtimi një hapësirë tjetër shumë më të favorshme. E mira është për të shmangur shpenzime të tepërta, por edhe për ata vetë,  që të fitojnë një pasuri të patundshme dinjitoze. Nëse nuk duan, ne do të vijojmë me procedurën ligjore të shpronësimit. Nuk duhet të humbasin kohë më këtë proces”, theksoi Rama.