Janë publikuar pamje të rralla nga spitali i kthyer në Covid 2, Shefqet Ndroqi. Atje janë të shtruar pacientë me koronavirus. Nuk janë shumë fatmirësisht, por mjekët janë në gatishmëri për çdo skenar. Në një intervistë për Real Story, mjekja Olvis Petre tregoi se është e vështirë të punosh me pacientë të tillë, virusi ka të panjohura, ndonëse zbatohet protokolli i OBSH për trajtimin e tyre.
Olvis Petre: Vështirësia qëndron tek e panjohura është virusi i ri, është një virus tinëzar. Çdo pacient ka shenjat e veta, trajtimi ndryshon në varësi të problematikave. Kolla frymëmarrja dhe temperatura kanë qenë shenjat më të shpeshta të pacientëve. Pa masat e marra të karantinimit do kishim numër më të madh të pacientëve. Të mos krijohen keqkuptime. Të drejtat e njeriut nuk kanë asnjë vlerë nëse nuk kemi shëndet publik të stabilizuar. Ishte karantinim i shpejtë me rregulla strikte, që bëri të kemi një valë më të pakët. Pavarësisht nga egërsia e virusit.
“Vetëm ai që e kalon virusin, e kupton se çfarë do të thotë të kalosh realisht Covid-19”, thotë një prej të infektuarve të shtruar.
Momentalisht në dy spitalet COVID, në spitalin infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” gjendja paraqitet e qëndrueshme. Aktualisht janë të shtruar 34 pacientë dhe vetëm 7 prej tyre janë në terapi intensive.