Kryesore Sekuestrohen 1.2 mln litra naftë në firmën e Lulzim Berishës në Durrës

Sekuestrohen 1.2 mln litra naftë në firmën e Lulzim Berishës në Durrës

Operacioni “Forca e Ligjit” ka bllokuar mbrëmjen e djeshme një sasi prej 1.2 milionë litra naftë dhe një magazinë doganore në Durrës, në pronësi të Lulzim Berishës.

“Në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”, përgjatë dy muajve të fundit, OFL nuk e ka ndërprerë punën asnjë ditë. Në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligjzbatuese, OFL ka vijuar hetimet dhe goditjen e subjekteve të Ligjit Special. Së bashku me Strukturat e Specializuara të Hetimit Financiar në Policinë e Shtetit dhe Doganat, në vijim të luftës kundër informalitetit, evazionit, ushtrimit të aktiviteteve të palicencuara dhe abuzimeve me tregun e hidrokarbureve, mbrëmjen e djeshme OFL sekuestroi 1,2 milion litra naftë  dhe një magazinë doganore, në Durrës, në pronësi të subjektit privat L. B. & E. SH.”, thekson policia.

Subjektit të Lulzim Berishës i ishte revokuar licenca nga autoritetet kompetente shtetërore “Për ushtrimin e veprimtarisë së furnizimit me karburant, për konsum të anijeve në porte”. Por, pavarësisht kësaj mase, subjekti në pronësi të Lulzim Berishës dhe të një shtetasi tjetër, ka vijuar të ushtrojë në mënyrë të paligjshme aktivitetin e tregtimit të naftës për peshkimin

Siç thekson OFL-ja, Lulzim Berisha ka ushtruar gjithashtu presion për të krijuar monopol për operatorët e industrisë së peshkimit.

“Këtij subjekti, më datë 13.02.2019, me vendimin  nr. 85, i ishte revokuar licenca nga autoritetet kompetente shtetërore “Për ushtrimin e veprimtarisë së furnizimit me karburant, për konsum të anijeve në porte”. Pavarësisht revokimit të licencës, subjekti ka vazhduar të ushtrojë në mënyrë të paligjshme aktivitetin e tregtimit të naftës për peshkimin, duke përdorur shantazhin ndaj konkurrencës dhe duke tentuar të krijojë një monopol kërcënues për operatorët e industrisë së peshkimit.

Pasi e ka ndjekur fillin e këtij organizimi kriminal, OFL ka kryer mbrëmë operacionin e sekuestros dhe po vijon, në bashkëpunim me Strukturat e Specializuara të Hetimit Financiar, hetimin intensiv për zbulimin dhe dokumentimin e gjithë veprimtarisë kriminale në këtë fushë dhe lidhjen me persona të tjerë publikë e privatë. OFL do informojë publikun në vijimësi për ecurinë e këtij operacioni të rëndësishëm, i cili tregon edhe njëherë se pasuritë kriminale nuk do të mbijetojnë në duart e subjekteve të Ligjit Special apo familjarëve e rrethit të bashkëpunëtorëve të tyre”, njofton policia.