Kina mund të përballet me pasoja të rënda nga pandemia e koronavirusit, që mund të çojnë në shpërthimin e luftës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të paktën kështu thuhet në një raport sekret që i është dorëzuar qeverisë kineze nga Instituti Kinez i Marrëdhënieve Ndërkombëtare Bashkëkohore, pjesë e Ministrisë së Sigurisë Shtetërore.
Në raportin e lexuar nga Agjencia Reuters thuhet se ndjenjat kundër shtetit kinez mund të jenë më të lartat që prej ngjarjeve tragjike pas protestave të studentëve në vitin 1989. Aty thuhet se, për pasojë, shteti kinez duhet të përgatitet për skenarin më të keq të mundshëm, që është lufta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndërkohë, media kineze “South China Morning Post”, raportoi të martën se ushtria kineze është pranë përfundimit të avionit bombardues bërthamor Xian H-20, i cili kompleton forcën goditëse bërthamore të shtetit duke u rreshtuar krah Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë si superfuqi botërore që mund të lëshojë sulme bërthamore nga toka, ajri dhe deti.
Burime nga ushtria kineze thanë për “South China Morning Post” se bombarduesi mund të jetë gati brenda këtij viti, duke u prezantuar që në nëntor, në një panair të mjeteve fluturuese, i cili do të përdoret për t’i dhënë një mesazh botës se pavarësisht pandemisë së koronavirusit, Kina nuk ka mbetur prapa.