Politika Raporti i “Freedom House”: Shqipëria rënie në treguesit e qeverisjes demokratike

Raporti i “Freedom House”: Shqipëria rënie në treguesit e qeverisjes demokratike

Harta e klasifikimit të sistemit demokratik në 29 shtete

Një raport i fundit i Freedom House, publikuar të mërkurën, ka vënë në dukje rënien e nivelit të demokracisë në Shqipëri, ndërsa paralajmëron se pandemia e Covid-19 mund të ndikojë edhe më shumë në këtë tregues.

Në raportin e përvitshëm “Vende në tranzicion”, i cili analizon 29 shtete, Freedom House vëren se gjatë vitit 2019 pati rënie të nivelit të demokracisë në disa prej vendeve të Evropës Qendrore dhe Ballkanit, përfshirë këtu dhe Shqipërinë.

Sipas raportit 9 shtete (Kosova, Maqedonia e Veriut, Lituania, Armenia, Azerbajxhani, Kazakistani, Moldavia, Ukraina dhe Uzbekistani) patën përparime të nivelit të demokracisë ndërsa 15 patën hapa prapa – mes tyre dallojnë Hungaria, Serbia dhe Mali i Zi, të cilat në 10 vitet e fundit kanë zbritur nga demokraci në konsolidim në klasifikimin regjim hibrid.

Shqipëria ka patur rënie në treguesit e qeverisjes demokratike dhe zgjedhjeve të lira, ndërsa në këto tregues Kosova dhe Maqedonia e Veriut shënuan rritje, por zhvillimet e këtij viti mund të vënë në diskutim vazhdimësinë.

Argumenti kryesor për vlerësimet në rënie të treguesve të demokracisë cilësohet mungesa e konsensusit, prirja për bojkot, zgjedhjet jo të lira, apo dhe rënia e besueshmërisë te institucionet.

Shqipëria vlerësohet regjim hibrid, ose ndryshe demokraci në tranzicion. Ajo shënoi rënie në treguesit demokratik prej zhvillimeve që pati në vitin 2019, ku veçohen më së shumti djegia e mandateve parlamentare, zgjedhjet vendore pa praninë e opozitës, nisja e procesit të shkarkimit të Presidentit Ilir Meta dhe përplasjet rreth emërimeve në Gjykatën Kushtetuese.

Në një shkallë vlerësimi nga 1 deri në 7 pikë, ku 1 është niveli më i ulët i demokracisë dhe 7 më i larti, Shqipëria është vlerësuar me 3.82 pikë – nga 3.89 që kishte për vitin 2018.

Për sa i përket Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, ata janë vlerësuar për përmirësime në raport me median dhe arritjen e marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit.

Kosova, që gjithashtu vlerësohet regjim hibrid, ose demokraci në tranzicion, u vlerësua me 3.18 pikë – nga 3.11 që ishte vlerësuar për vitin 2018.

Megjithatë përplasja politike e dy muajve të fundit nën pandeminë e Covid-19 pritet të ndikojë shumë në treguesit e demokracisë së Kosovës gjatë vitit 2020.

Meta: Kambanë alarmi, është koha për një ringritje të menjëhershme

Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas publikimit të raportit të përvitshëm të “Freedom House” për vendet në tranzicion, ku vërehet se gjatë vitit 2019 pati rënie të nivelit të demokracisë në disa prej vendeve të Evropës Qendrore dhe Ballkanit, përfshirë këtu dhe Shqipërinë.

Përmes një postimi në faqen e vet në Facebook kreu i shtetit shprehet se ndihet “thellësisht i shqetësuar nga konkluzionet e raportit të organizatës “Freedom House” dhe shton se përkeqësimi i treguesve për nivelin e demokracisë, rënia ne qeverisje dhe proces zgjedhor kërkon një reflektim dhe përgjigje nga të gjithë”.

Sipas kreut të shtetit, ky raport është një kambanë e fortë alarmi për një ringritje të menjëhershme dhe për një trajektore të re të demokracisë.

“Konkluzioni në raport se: ‘Nga Tirana në Tbilisi, ata që janë në pushtet, nuk janë të interesuar që ta bëjnë parlamentin një vend ku diskutohet’ është një kambanë e fortë alarmi.

Është koha për një ringritje të menjëhershme dhe për një trajektore të re të demokracisë, shtetit ligjor dhe respektimit të të drejtave të njeriut, me qëllim përmbushjen sa më parë të kushteve të vendosura nga Bashkimi Europian, me qëllim integrimin e plotë të vendit pa zvarritje të mëtejshme”, shprehet presidenti.