Autoritetet policore italiane kanë ekzekutuar një ditë më parë operacionin e kodar “Doktori” i cili ka çuar në shkatërrimin e një grupi trafikantësh droge të tipit kokainë drejtuar nga shqiptarë.
Hetimet e nisura në fund të vitit 2017 nga Prokuroria e Xhenovas në bashkëpunim me Departamentin e Antidrogës e Antimafias italiane çuan në ekzekutimin e 7 urdhër arrestesh, mes të cilëve një femër.
Hetimet zbardhën se grupi i trafikantëve drejtohej nga shqiptari Florian Zeqiri me banim në Rrapallo, i cili u vu në pranga sëbashku me dy shqiptarët e tjerë Armando Ahmeti e Enkelejd Kapaj. Po në pranga u vunë shtetasit Massimo Gallio e Mourad Aousoji. Dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim.
Autoritetet italiane informojnë se një prej shqiptarëve nën urdhër arrest është dëbuar më parë nga territori italian pas kryerjes së një dënimi penal për akuza të ngjashme
Hetimet nisën pas kontrollit në banesën e një mjeku familje në të cilën u gjetën 35 gramë kokainë për përdorim personal. Përgjimet telefonike e ambientale zbardhën se mjeku italian furnizohej nga grupi i trafikantëve të drejtuar nga shqiptari Florian Zeqiri.
Autoritetet italiane kanë dokumentuar rreth 150 episode të shitjes së drogës dhe mes klientëve ka dhe profesionistë me emër që banojnë në komunat Protofino e Santa Margherita./Ora News