Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti i cilëson rezultatet e vendit të tij në luftën ndaj pandemisë së COVID-19 si histori suksesi pasi në 13 ditët e fundit ka pasur më shumë të shëruar se sa infektime të reja.
“Që nga data 4 maj 2020 kemi filluar me masat e reja që janë paraparë gjatë fazës së parë të hapjes graduale lidhur me pandeminë COVID-19. Të gjithë jemi krenarë për suksesin tonë në uljen e dukshme të lakores së virusit në Kosovë. Gjatë 13 ditëve të fundit, çdo mbrëmje kemi pasur arsye për t’u gëzuar sepse ka pasur më shumë të shëruar sesa të infektuar. Në dy javët e fundit kemi 460 të shëruar e vetëm 90 të infektuar (pra, mbi pesëfishin)”, shprehet kreu i qeverisë së Kosovës.
Kurti thekson nga ana tjetër se ende nuk ka ardhur momenti për heqje të plotë të kufizimeve pasi beteja ende nuk ka përfunduar ndaj bën thirrje për respektimin e masave të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë.
“Siç ka thënë një ekspert amerikan i pandemive para disa ditësh, Kosova është bërë një rrëfim suksesi në Evropë dhe në botë. Mirëpo, tani nuk është momenti për t’u relaksuar. Nuk është momenti për ta kthyer mbrapsht gjithë progresin e shënuar. Le të mos e humbim ndeshjen në 10 minutat e fundit. Kemi bërë një rrugë të gjatë dhe të vështirë për të arritur deri në këtë pikë. Jemi kaq afër fitores, saqë rikthimi i virusit në mesin tonë do të ishte edhe më zhgënjyes sesa vetë ardhja e tij”, shprehet ai.
“Sigurisht se kemi qenë të suksesshëm deri tani në luftimin e parandalimin e COVID-19, por askush nuk ka të drejtë ta shpallë të përfunduar këtë betejë. Ata që e bëjnë një gjë të tillë do të na pamundësojnë fitoren e shumëpritur. Le të mos harrojmë që ende nuk e posedojmë as antiviralin e as vaksinën për këtë virus. Për të gjithë ne, ai mbetet ende i panjohur. Edhe pse po e mundim këtë armik të padukshëm (kemi gati tre herë e gjysmë më shumë të shëruar sesa raste aktive), kjo nuk garanton pamundësimin e infektimeve të reja. Andaj, le të vazhdojmë të respektojmë, deri në fund, masat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe rekomandimet e IKShPK-së”, ka shtuar z. Kurti duke kërkuar që të shmangen vizitat familjare dhe shoqërore dhe të ruhet distancimi fizik.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti më herët ka postuar disa foto ku tregohen momente duke bërë pazar. Ai është përpjekur që të nxitë qytetarët për të konsumuar dhe blerë produktet vendase si një përpjekje për të dalë nga kriza e COVID-19. “Ne 5-shat, sipas shifrës së parafundit të numrit personal, e kemi orarin e paradites prej orës 9:00 deri në 10:30. Bleva perime e pemë, bukë e djathë, qumësht e vezë, lëngje vishnje e rrepe. Ka shumë më tepër prodhime vendore sesa që përgjithësisht mendohet. I falënderoj të gjithë këta punëtorë të shitoreve për respektin dhe shërbimin ndaj neve konsumatorëve, për kujdesin dhe pastërtinë në lokalet e tyre”, shprehet ai.