Kryesore Mjeku Kalo: Hapja e domosdoshme, zbatimi i këshillave të mjekëve kyç për...

Mjeku Kalo: Hapja e domosdoshme, zbatimi i këshillave të mjekëve kyç për fitoren ndaj COVID-19

Mjeku infeksionist, Tritan Kalo kërkon që qytetarët të zbatojnë këshillat e mjekëve, pasi vetëm kështu do fitohet beteja ndaj COVID-19.

Duke përshkuar ditën e 100 të përballjes së mjekëve në vijën e parë të frontit me koronavirusin, Kalo thekson se rihapja e jetës është shumë e rëndësishme, por shton rrezikun e kontaktit me personat e infektuar.

“Dita e 100-të e Punës në vijimësi, fillimisht asaj përgatitore dhe pas 8 Marsit 2020, ditës së konfirmimit zyrtar të 3 rasteve të para, në përballjen direkte me të sëmurët e hospitalizuar me Sars-Cov2/Covid-19….100 ditë të pashkëputura nga njëra tjetra prej pauzave fundjavore…..Pas kontaktit që herët në mëngjes me të sëmurët vijon dita me një bisedë në sheshin para Urgjencës së Shërbimit Infektiv/ Covid-1 me kolegët, kuptohet duke respektuar distancimin fizik…Puna në grup është kyçi i artë i suksesit në situata të tilla dhe jo vetëm…..Punonjësit e Rendit janë aty 24 orë rresht, që nga dita e parë dhe ata kurdoherë përkujdesen, për ruajtjen e rregullave të karantinimit të këtij objekti”,- u shpreh Kalo

Sipas tij, kënaqësinë ditës ia shtoi dalja e Besnikut dhe rikthimi i tij në Shkodrën-loce.

“Pacient shembullor në durimin dhe forcën e tij në përballjen jo pak sfiduese me këtë sëmundje, si dhe mjaft fisnik në mirënjohjen e shprehur ndaj përkujdesit tonë”, u shpreh mjeku.

Apeli i tij shkon për qytetarët.

“Hapja e domosdoshme dhe graduale e vendit, rigjallëron si mendjet edhe energjitë tuaja fizike, i jep oksigjenim ekonomisë, ul papunësinë si dhe përmirëson gjendjen financiare të gjithkujt, por kjo hapje shton edhe rrezikun e kontaktit me personat ende të infektuar asimptomatik me Sars-Cov2/Covid-19….Kujdes dhe vetëm Kujdes…Vijoni të respektoni veten dhe ata që gjallërojnë rreth jush….”,- vijoi ai.

“Zbatoni pa asnjë hezitim këshillat tona….Jeta do vijojë por në kushtet kur jo gjithçka mundet të jetë si më parë…..Ju lutem….Mos u shqetësoni apo brengosuni aspak për faktin se vëreni në TV, shtypin e shkruar apo në rrjetet shoqërore dukurinë se: Mirë që Covid-19 po “ngordh” pak-nga pak, por ç’dreqin kanë këta gjithollogët analistë, që nuk po na lënë rehat. Me mirëkuptim dhe me mirëbesim reciprok, ne me siguri do ia dalim të fitojmë ndaj sfidës COVID-19!!!”,- përfundoi Kalo.