Kryesore Dita me pozitivitetin më të ulët: 4 raste me Covid-19 gjatë 24...

Dita me pozitivitetin më të ulët: 4 raste me Covid-19 gjatë 24 orëve të fundit

Njësoj si një ditë më parë, gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar pozitivë me Covid-19, katër qytetarë. Dy raste u konfirmuan në Krujë, një në Tiranë dhe një në Berat.

“Që nga fillimi epidemisë, sot shënohet dita me pozitivitetin më të ulët në vend, ndaj totalit të testimeve ditore, me vetëm 1.64 %”, tha Rovena Daja nga ISHP-ja.

Në këtë mënyrë numri total i të infektuarve në vendin tonë ka shkuar në 876 qytetarë. Shumica prej tyre janë shëruar nga sëmundja. Listës iu shtuan sot 28 qytetarë duke e çuar në 682, ose 78% të të gjithë të prekurve.

Aktualisht janë 163 persona aktivë me Covid-19, kryesisht në Tiranë, Krujë, Shkodër dhe Kamëz. Situata paraqitet e qëndrueshme  edhe në spitale.

Aktualisht, nga 25 pacientë të shtruar vetëm 1 është në terapi intensive. Me lehtësimin e masave Ministria e Shëndetësisë u ka kërkuar qytetarëve që të respektojnë distancimin social dhe higjienën personale.

Betejën me këtë sëmundje e kanë humbur deri më tani 31 qytetarë.