Kryesore Soros: Koronavirusi mund të shkaktojë fundin e Bashkimit Europian

Soros: Koronavirusi mund të shkaktojë fundin e Bashkimit Europian

Miliarderi dhe filantropi amerikan George Soros parashikon se pandemia e koronavirusit mund të shkaktojë fundin e Bashkimit Europian.

Në një intervistë për “The Independent”, Soros ka shprehur dyshimet për mbijetesën e BE-së, duke argumentuar se bashkimi i shteteve të unionit nuk është i plotë.

Ai e mbështet këtë logjikë në vendimin që mori Gjermania ndaj Bankës Qendrore Europiane, të cilës i ka lënë 3 muaj kohë për të shpjeguar proporcionalitetin për blerjen e bonove të saj, në të kundërt do të humbasë “Bundesbank”, bankë gjermane dhe që është një nga 19 bankat anëtare të Bankës Qendrore Europiane.

Ky ultimatum i dhënë nga Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë, argumenton Soros, “mund të sjellë shkatërrimin e BE-së si një institucion bazuar në shtetin e së drejtës”.

89-vjeçari u shpreh gjithashtu se pandemia globale mund t’i japë fund kapitalizmit, të paktën në mënyrën siç e njohim ne. Megjithatë ai shtoi se është e pamundur të parashikosh se si mund të ndryshojë kapitalizmi. Nga ana tjetër, Soros nuk parashikon të njëjtën gjë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të cilën thotë se është më solide.