Ekonomi A përfundoi “Epoka e Artë e Udhëtimit” për Europën?

A përfundoi “Epoka e Artë e Udhëtimit” për Europën?

Britania do të kërkojë që çdokush që hyn në vend të vetë-karantinohet për dy javë dhe vendet e tjera evropiane po shqyrtojnë masa të ngjashme. Por perspektivat e kufizimeve të reja dhe të zgjatura të udhëtimit po shkatërrojnë shpresat e pakta që kishin linjat ajrore të kontinentit dhe industria turistike për një mëkëmbje të pjesshme nga koronavirusit.

Shoqëritë ajrore po paralajmërojnë se shumë prej tyre do të përballen me falimentimin ashtu si Virgin Atlantic. Koronavirusi tashmë ka nënshtruar kompaninë më të madhe ajrore të vendit, Flybe, e cila pasi u shpëtua nga kolapsi i afërt në janar, deklaroi më në fund falimentimin në mars pas shpërthimit të COVID-19.

Qeveria britanike konfirmoi të hënën se planifikon të detyrojë këdo që vinë nga jashtë në aeroporte ose porte detare, përfshirë pushuesit që kthehen dhe njerëzit që shkojnë për biznes, të izolohen për 14 ditë. Nga qershori, udhëtarëve do t’u kërkohet të japin një adresë ku do të bëjnë izolimin e tyre ndësa do të rrezikojnë gjobë deri në 1.240 dollarë nëse shkelin rregullat. Policia do të kryej kontrolle të rastësishme, thonë zyrtarët.

Shkatërrohet industria e udhëtimeve

Në një deklaratë, Airlines UK, shoqata që përfaqëson shoqëritë ajrore të regjistruara në vend, tha: “Ky propozim do të eliminojë në mënyrë efektive udhëtimin ndërkombëtar për dhe nga Mbretëria e Bashkuar dhe do të shkaktojë dëme të pafalshme në industrinë e aviacionit dhe më gjerë në ekonominë e Mbretërisë së Bashkuar. Askush nuk do të shkojë me pushime nëse nuk është në gjendje të rifillojë jetën normale për 14 ditë, dhe udhëtimi për biznes do të kufizohet rreptësisht. Rregulli gjithashtu do ta bëjë të pamundur që shoqëritë ajrore të rifillojnë së shpejti, duke e vonuar kështu më tej rimëkëmbjen ekonomike të Britanisë”.

Sipërmarrësi Richard Branson po kërkon një ndihmë financiare nga qeveria dhe investitorët për shkak të pandemisë. Ai ka thënë se vendpushimi i tij luksoz Necker në ishullin e Karaibeve mund të përdoret si kolateral për të ndihmuar sigurimin e ndihmës shtetërore për kompaninë e tij. Virgin Group aktualisht zotëron 51% të Virgin Atlantic, ndërsa Delta Air Lines me qendër në SHBA zotëron pjesën tjetër. Dega australiane e kompanisë tashmë ka hyrë në procesin e administrimit dhe Virgin Atlantic ka njoftuar se po shkurton një të tretën e fuqisë së saj punëtore në Britani.

“Kemi mbijetuar shumë stuhi që nga fluturimi ynë i parë 36 vjet të shkuara por asnjë nuk ka qënë kaq shkatërrimtare sa COVID-19 dhe me kaq pasoja për kaq shumë njerëz,” tha në një deklaratë shefi ekzekutiv i kompanisë, Shai Weiss. Shoqëria British Airways ka njoftuar gjithashtu shkurtime dhe ka në plan të pakësojë 25 përqind të fuqisë së saj punëtore prej 10,000 vetë.

Lufthansa e Gjermanisë, grupi kryesor i linjave ajrore globale të Evropës, është duke kërkuar një ndihmë financiare nga Berlini për të shmangur falimentimin. Air France-KLM mori muajin e kaluar hua të mbështetur nga shteti francez në shumën prej 7.6 miliardë dollarë për ta mbajtur atë në gjendje të operojë.

Konsensusi midis vëzhguesve të industrisë është se do të duhen vite me radhë që sektori i aviacionit në Britani dhe gjetkë në Evropë të shkojë përsëri atje ku ishte para goditjes së pandemisë. Ndërkohë, linjat ajrore evropiane shpresojnë se mund të shpëtojnë disa udhëtime ajrore në distanca të shkurtra gjatë muajve të ardhshëm. Air France-KLM shpreson të fluturojë 20% të kapacitetit të saj nga korriku deri në shtator; Lufthansa planifikon të operojë 160 avionë pasagjerësh nga qershori, duke përdorur rreth 21% të flotës së tij.

Por shumë varet nga kur dhe si do të hiqen kufizimet dhe ndalimet e udhëtimit – dhe planet si Britania kanë dërguar një sinjal shqetësimi tek drejtuesit e linjave ajrore.

Qeveria spanjolle të hënën tha se dëshiron një përgjigje të përbashkët evropiane ndaj krizës së udhëtimit ajror. Ministrja e ekonomisë, Nadia Calvino, tha për televizionin Bloomberg, “Ne mbështesim fuqimisht një përgjigje evropiane.” Një nga shqetësimet e saj është se vendet individuale të Bashkimit Evropian do të ofrojnë nivele të ndryshme të ndihmës shtetërore për kompanitë e tyre ajrore, duke shtrembëruar konkurrencën dhe duke u dhënë disa linjave ajrore, të cilat marrin më shumë ndihmë shtetërore se të tjerët, një avantazh.

Fundi i udhëtimeve të lira?

Përveç linjave ajrore në vështirësi, ky lloj rregulli ka të ngjarë të shqiptojë dënim për shumë operatorë turistikë dhe hotele, thonë ekspertët e industrisë. Disa parashikojnë se pa mbështetje masive financiare nga qeveritë, shumë kompani udhëtimesh do të falimentojnë, duke shtuar papunësinë.

Në Britani, Karen Dee, shefe ekzekutive e Shoqatës së Operatorëve të Aeroportit, tha se “Nëse karantina është një mjet i domosdoshëm për të luftuar COVID-19, atëherë qeveria duhet të veprojë me vendosmëri për të mbrojtur qindra mijëra punë të lidhura me aeroportin dhe udhëtimet. në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.”

Operatorët turistikë të Evropës tashmë po përpiqen të rimbursojnë klientët për pushimet e anuluara, të cilat kërkohet të bëhen sipas ligjit të BE-së, brenda 14 ditëve. Ankesat po rriten në të gjithë Evropën nga konsumatorët e dëmtuar që shumë kompani ajrore dhe operatorë turistik po vonojnë ti rimbursojnë.

Disa janë të shqetësuar se industria turistike e kontinentit nuk do të jetë kurrë më si më parë falë pandemisë dhe se linjat ajrore me kosto të ulët, të cilat demokratizuan udhëtimet ajrore nga vitet 1990 e tutje, do të zhduken. Në aspektin afatmesëm kjo mund të bëjë që udhëtimet dhe turizmi, të jenë diçka që vetëm të pasurit mund ta përballojnë. “Demokratizimi i udhëtimit ka qenë një arritje e shkëlqyer. Ne nuk mund ta lejojmë këtë koronavirus ta vrasë këtë arritje”, këshillon gazeta britanike Sunday Times.

Industria globale e turizmit parashikohet të humbasë mes 850 milion dhe 1.1 miliardë turistë këtë vit. Më shumë se njëqind milion vende pune janë në rrezik, thonë analistët e industrisë./VOA