Kim: Marrëdhënia e SHBA me shqiptarët, jo me partitë politike
Ambasadorja amerikane Yuri Kim në një intervistë për gazetaren Ilva Tare në Euronews Albania u shpreh se i pëlqente të dinte më shumë për mendimet që kanë shqiptarët, me të cilët komunikon drejtpërdrejt në rrjetet sociale.
“Pavarësisht sa i dua raportet që marr, sado e vlerësoj informacionin që marr nga stafi im, doja të dëgjoja drejtpërdrejt nga njerëzit. E shoh median sociale jo vetëm si mënyra që unë t’iu them njerëzve çfarë mendoj por edhe që njerëzit të më tregojnë mua. Në fakt i lexoj komentet – ndonjëherë është disi toksike, por i lexoj gjithsesi,” deklaroi ambasadorja.
Ajo u shpreh mjaft pozitive për komunikimin që ka me popullin e Shqipërisë dhe i cilësoi ata si shumë dashamirës ndaj SHBA dhe amerikanëve.
“Shpresoj që populli shqiptar ta dijë që ndjenja është e ndërsjellë. Po ashtu e shohim Shqipërinë si mike e vërtetë dhe si mike shumë e veçantë,” shtoi znj. Kim.
Gazetarja Tare e pyeti më tej ambasadoren lidhur me marrëdhënien e SHBA me aktorët politikë në vend dhe pretendimet se diplomacisë shpesh i duhet të mbështesë stabilitetin.
“Unë mendoj se ne punojmë më çdo qeveri që është në vend, e zgjedhur në mënyrë ligjore, dhe është në vendin e saj në mënyrë legjitime. Kjo është puna jonë, ne nuk diskriminojmë. Por pavarësisht qeverive të zgjedhura, marrëdhënia jonë është me popullin shqiptar, me Shqipërinë si vend, jo me ndonjë parti të veçantë. Unë përpiqem të komunikoj dhe të flas dhe të prek sa më shumë njerëz që të mundem. Ju pyetët më parë përse jam kaq aktive në mediat sociale; është pikërisht për këtë arsye, sepse marrëdhënia është shumë e gjerë dhe marrëdhënia e shkëlqyer që kemi me qeverinë shqiptare është prej elementeve të saj, dhe unë e vlerësoj tërësinë e saj,” iu përgjigj ambasadorja Yuri Kim gazetares Ilva Tare.
Yuri Kim: Ka shumë nga ata që nuk e duan reformën në drejtësi
Ambasadorja amerikane Yuri Kim ishte e drejtpërdrejtë dhe e vendosur lidhur me qëndrimin e SHBA për reformën në drejtësi, por nuk hezitoi të shprehte dhe qëndrimin e politikës shqiptare për reformën.
Ilva Tare: Do të përpiqem edhe pse e di që diplomatikisht nuk mund të përgjigjeni, por a e dini se kush nuk e do?
Ambasadorja Kim: Mendoj se ka shumë që nuk e duan.
Ilva Tare: Dhe vazhdoni të punoni me ta?
Ambasadorja Kim: Mendoj se ka shumë që nuk e duan. Unë punoj me një gamë të gjerë njerëzish dhe do të vazhdoj ta bëj këtë.
Gazetarja Ilva Tare e pyeti gjithashtu ambasadoren nëse ajo që kemi bërë deri më sot për reformën në drejtësi është më e mira që mund të kishim bërë. Ambasadorja Kim tha se askush nuk duhet të pretendojë përsosmëri, pasi kjo nuk është e mundur. “Por ajo që mund t’ju them është që për qeverinë amerikane, reforma në drejtësi në Shqipëri mbetet përparësi dhe, për mua personalisht, mbetet një përparësi dhe kam në plan t’i kushtoj gjithçka mundem për ta bërë realitet. Do të thotë që do të ketë frustrim, e pres këtë të ndodhë, sepse ka disa që nuk duan që të ndodhë. Ka edhe çështje kapacitetesh. Por ajo që mund të them është se do të bëj përpjekjet e mia më të mira; kushdo rreth meje do të bëjë më të mirën dhe tani është në dorën e udhëheqësve politikë që të tregojnë seriozitetin e tyre për ta bërë këtë realitet,” u shpreh Kim.