Bota Përplasja rajonale, Turqia akuzon Emiratet: Po shkakton kaos në Lindjen e Mesme

Përplasja rajonale, Turqia akuzon Emiratet: Po shkakton kaos në Lindjen e Mesme

Turqia ka akuzuar Emiratet e Bashkuara Arabe për sjelljen e kaosit në Lindjen e Mesme përmes ndërhyrjeve të saj në Libi dhe Jemen.

Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu iu përgjigj kritikës për rolin e Turqisë në konfliktin libian, menjëherë pasi ministria e tij në Ankara hodhi poshtë një deklaratë nga Qipro, Egjipti, Franca, Greqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe që përshkruan veprimtarinë ushtarake turke në Mesdheun Lindor si “shkak i kaosit rajonal dhe paqëndrueshmërisë”.

Në fillim të këtij viti, Turqia vendosi personel ushtarak në Libi dhe ndihmoi dërgimin e luftëtarëve sirianë për të ndihmuar qeverinë e njohur ndërkombëtarisht të Unitetit Kombëtar në Tripoli, ndërsa pesë nënshkrues të deklaratës mbështetën forcat e gjeneralit në pension Khalifa Haftar në përpjekjen e tij për të pushtuar kryeqytetin libian.

Një dokument i përbashkët të martën dënoi kërkimin e Turqisë për gaz natyror në brigjet e Qipros si “të paligjshëm”.

“Abu Dhabi sjell kaos”

Si reagim, Cavusoglu i tha stacionit televiziv turk Akit se ishin Emiratet e Bashkuara Arabe, së bashku me Egjiptin dhe vendet e tjera ato që “po përpiqeshin të destabilizonin rajonin”.

Por ai ofroi një kritikë të veçantë për Abu Dhabin.

“Nëse më pyet se kush po destabilizon rajonin, kush po sjell kaos, përgjigjja ime pa hezitim është – Abu Dhabi. Situata në terren tregon se ato janë forca që prishën Libinë dhe shkatërruan Jemenin”, tha ministri i jashtëm turk.

Emiratet e Bashkuara Arabe nuk iu përgjigjën kritikës së Cavusoglu.

Marrëdhëniet midis Turqisë dhe Emirateve kanë qenë në gjendje problematike për vite me radhë, veçanërisht për shkak të mbështetjes së Ankarasë për Katarin, pasi katër shtete arabe (përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe) vendosën sanksione ndaj Doha-s në 2017 për shkak të politikës së jashtme të pavarur.