Liga e Parë Portugeze rikthehet në fillim të muajit qershor. Me kalimin e javëve forca e virusit COVID-19 sa vjen e bie dhe pak e nga pak të gjithë vendet e globit po mundohen t’i kthehen jetës së mëparshme. Në këtë mënyrë është koha për të menduar edhe për kthimin në normalitet të të gjithë aktiviteteve sportive dhe përjashtim nuk bën natyrisht as Primeira Liga në Portugali.
Kampionati luzitan përfaqëson një ndër kompeticionet më të fortë në Kontinentin e Vjetër dhe klasifikohet menjëherë pas 5 ligave kryesore në Angli, Spanjë, Itali, Gjermani dhe Francë, sidoqoftë pas bisedave dhe përpjekjeve të shumta drejtuesit më në fund shpallën edhe datën e rifillimit. Bëhet fjalë për datën 4 qershor, pra afërsisht tre muaj pas momentit kur u ndërprenë ndeshjet dhe u ashpërsuan masat shtrënguese për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Drejtuesit konfirmuan se liga portugeze do të rifillojë pikërisht me ndeshjet e javës së 25, më datë 4 qershor. Në një komunikatë të veçantë drejtuesit shpjeguan se pas shumë përpjekjeve dhe debateve, gjithçka do të rikthehet në fillim të muajit qershor, kuptohet nën masa të rrepta që duhen zbatuar nga lojtarët apo dhe stafet përkatës të klubeve pjesëmarrës.
Natyrisht pra është një protokoll që duhet respektuar dhe janë një sërë masash mbrojtëse që duhen zbatuar për të mundësuar kthimin në normalitet, masa që sigurisht do të influencojnë edhe në mospërhapjen e virusit COVID-19 në vendin iberik. Kryeministri i vendit luzitan Antonio Costa çeli dritën jeshile që muajin e kaluar për rikthimin e kampionatit.
Fillimisht u propozua data 30 maj, gjithsesi tani takimet do të startojnë disa ditë më vonë, por në mënyrë të kuptueshme kushti i zhvillimit të ndeshjeve pa spektatorë mbetet. Marrëveshja e arritur u sigurua pas një bashkëpunimi të gjatë dhe takimeve ndërmjet drejtuesve të Federatës Portugeze të Futbollit si dhe përfaqësuesve të sektorit të shëndetësisë. Në bazë të kësaj marrëveshjeje do të ketë inspektime të vazhdueshme në stadiume dhe kontrolle të mëtejshme mjekësore për gjendjen e futbollistëve.
Liga e Parë Portugeze u ndërpre në fillimin e muajit mars, kur skuadrat kishin luajtur nga 24 ndeshje. Kur kanë mbetur edhe 10 javë kampionat për t’u luajtur ky kompeticion kryesohet nga Porto, që udhëheq ligën me vetëm 1 pikë më tepër se sa kampionët në fuqi të Benfikës. “Dragonjtë” janë duke përjetuar një krizë të thellë financiare, sidoqoftë deri në fund të këtij edicioni pritet një betejë e ashpër me rivalët e përjetshëm nga kryeqyteti, për më tepër “shqiponjat” e Benfica-s kanë fituar 5 nga 6 kampionatet e fundit në këtë vend.
Portugalia është vendi i 23 më i prekur në rruzull nga pandemia e koronavirusit dhe shteti luzitan numëron 28.000 raste, prej të cilëve kanë humbur jetën afërsisht 1.200 persona.