Në një intervistë për Report Tv, doktor Tritan Kalo, anëtar i Komitetit Teknik tha se është i vetëdijshëm që njerëzit vijojnë të lëvizin edhe mbas orës 17:30. Në këto kushte, duhet të lejohet lëvizja edhe pas kësaj ore.
Vetëndërgjegjësimi i qytetarëve do të vijë vetvetiu me kalimin e kohës, sipas mjekut.
“Oraret janë vendosur, por njerëzit janë në rrugë. Dhe shpërfillja tregon që këto masa drastike të vendosura kanë një mundësi që e kalojnë kufirin e logjikës. Njerëzit janë deri në 21:00 zakonisht jashtë. Do të jetë shumë praktike që të ligjërohet që deri në 9:00 të darkës njerëzit të qarkullojnë lirshëm, se nuk kontrollohet dot kjo Tiranë. Nuk mund të ketë individ që të survejojnë çdo derë, çdo pallat. Por vetëndërgjegjësimi, edhe pse çalon, do të bëhet se detyrimisht do të edukohen. Ai që ka pasur kontakt me sëmundjen do jenë informatorët më të mirë, propagandistët më të mirë për të bindur të tjerët që nuk është më shaka”, tha Kalo.
“Jo rikthim të virusit në shtator, por rishfaqje! Do jetë njësoj agresiv, por do kemi më shumë imunitet”
Mjeku Kalo theksoi se koronavirusi nuk është zhdukur, prandaj kujdesi duhet të jetë maksimal. Pyetur për një valë të dytë të infeksionit, Kalo tha se në këtë rast nuk do të kemi një rikthim, por rishfaqje. Në këtë rishfaqje, Kalo thotë se ai do të jetë agresiv njësoj, por deri atëherë popullsia do të ketë krijuar një imunitet.
“Virusi nuk është në grahmat e fundit, por si një sëmundje respiratore, shkon në një vetëshuarje, por jo të plotë. Gradualisht COVID-19 do të klasifikohet si infeksion i vijave respiratore, që do të jenë me ne. Në verë kemi disa infeksione që kalohen shpesh në plazh dhe kanë si simptoma gripi. Me ardhjen e vjeshtës do të riaktivizohen, dhe pa dyshim midis tyre nga tamponet që do të merret, detyrimisht do të jetë i pranishëm edhe COVID-19. Nuk do të jetë një rikthim, por një rishfaqje i këtij virusi. Është i njëjti virus, nuk është më agresiv. Mendoj që shfaqja e këtij virusi nuk do të jetë më agresiv, hapësira kohore nga 13 maj deri në shtator, ka disa muaj dhe kontaktet sporadike do të na ndihmojë që të kemi më shumë imunitet“, tha Kalo.