Pandemia e koronavirusit ka shkaktuar një situatë të jashtëzakonshme. Të shumta janë familjet që janë rrënuar ekonomikisht për shkak të krizës së krijuar.
Megjithatë, Covid-19 edhe pse nuk i ka prekur të gjithë njerëzit e kësaj bote, ka ndikuar tek të gjithë, madje edhe tek dashuria. Historitë më të çuditshme vijnë nga Koreja e Jugut. Ky shtet aziatik konsiderohet si një nga vendet që e luftoi më me sukses koronavirusin.
Falë një aplikacioni, autoritetet arritën të gjenin personat e kontaktit me të infektuarit. Megjithatë kjo ka çuar edhe në shkatërrimin e disa familjeve, pasi aksidentalisht janë zbuluar tradhtitë në çift.
Në një dokumentar të publikuar në mediat britanike thuhet se aplikacioni që gjurmonte njerëzit ishte krijuar nga një 19-vjeçar. Në këtë mënyrë autoritetet shikonin vendndodhjen e personave, kartën e kreditit dhe kamerat e sigurisë për të monitoruar lëvizjet.
“Nëse pamjet tregonin që pacienti arriti në orën 14:00 dhe iku në 15:00, atëherë autoritetet duhet që të gjenin të gjithë ata që kanë qenë në kontakt me këtë person”, shprehej një shkencëtar.
Ndërkohë një qytetar i Koresë së Jugut tregoi se në këtë mënyrë janë zbuluar shumë tradhti.
“Alarmi mund të ngrihej kur thuhej që për shembull një bankier 58-vjeçar kaloi në këtë zonë, vizitoi këtë hotel në këto orare dhe më vonë shkoi në këtë kinema. Disa njerëz lidhnin pikat dhe thonin që e njoh këtë bankier. Kishte raste kur njerëzit ishin në vende që nuk mendohej se ishin si hotele apo motele. Në këtë moment kuptohej se dikush po tradhtonte”.
I pyetur rreth masave ekstreme, banori tha se koreanojugorët vënë përpara sigurinë sesa privatësinë.