Mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti, ka deklaruar se në New York State janë përcaktuar kritere për ngjyrosjen e zonave në bashkëpunim me CDC e SHBA-së, OBSH-në, Departamentin e Shtetit dhe ekspertë të shëndetit publik.
Sipas tij, Shqipëria plotëson 7 kriteret kryesore për të qenë zonë e gjelbër.
“Kriteri 1- Ulja e shtrimeve totale në spital kriteri plotësohet nga Shqipëria, pasi numri i shtrimeve të reja nuk tejkalon 15 shtrime të reja si mesatare e 3 ditëve të fundit dhe se në fakt, këto shtrime janë pothuajse zero”.
“Kriteri 2- Ulja e numrit të vdekjeve gjatë 14 ditëve të fundit, Shqipëria nuk ka asnjë vdekje”.
“Kriteri 3- Ulja e shtrimeve të reja në spital. Kriteri plotësohet nga Shqipëria, pasi numri i shtrimeve të reja nuk tejkalon 2 shtrime të reja për 100.000 banorë si mesatare e 3 ditëve të fundit. Në fakt, këto shtrime janë pothuajse zero. Kriteri 3 i New York State plotësohet nga Shqipëria”.
“Kriteri 4- Kapaciteti i shtretërve spitalorë, edhe ky i plotësuar nga Shqipëria. Në total janë 19 të shtruar në spital. Në kushte normale, vetëm shërbimi normal i Sëmundjeve Infektive në QSUT ka 74 shtretër, pra sikur të kishim vetëm këto shtretër kemi 75% të shtretërve në dispozicion. Kushti është të kesh të paktën 30% të shtretërve në dispozicion”, – vijon epidemiologu Alimehmeti.
“Kriteri 5- Kapaciteti i shtretërve të terapisë intensive. Vetëm 3 raste janë në terapi intensive, ndërsa shtretër janë 165, pra janë në dispozicion 98% e shtretërve intensivë. Kushti është të kesh të paktën 30% të shtretërve në dispozicion. Kriteri 5 i New York State plotësohet nga Shqipëria”,- thekson Alimehmeti.
“Kriteri 6-Kapaciteti i testimeve diagnostikuese. Kapaciteti diagnostik duhet të jetë të paktën 30 teste për 1000 vetë në muaj, kapacitet i cili është i mundshëm nga ISHP-ja edhe pse nuk ka qenë i domosdoshëm deri tani. Kriteri 6 i New York State plotësohet nga Shqipëria”.
“Kriteri 7- Kapaciteti i gjurmimit të kontakteve. Numri i gjurmuesve në Shqipëri është i përshtatshëm nëse mbështetemi mbi raportin e infeksionit në Shqipëri. Kriteri 7 i New York State plotësohet nga Shqipëria. Në figurat e publikuara prej tij ndodhet pamja e përgjithshme e New York State me kriteret e qarta”, – thekson Alimehmeti.
“Vini re që ngjyrimi i zonave nuk varet nga ecuria e kurbës dhe as nga numri i rasteve të përditshme, por vetëm nga përdorimi i burimeve spitalore. Për këto arsye, Shqipëria plotëson çdo kriter të New York State për të qenë krejt e gjelbër”, – përfundon mjeku Alimehmeti.