Bota “Korridoret turistike”, Italia kërcënon BE me largim

“Korridoret turistike”, Italia kërcënon BE me largim

Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte kritikoi një plan të propozuar nga BE në lidhje me turizmin i cili planifikon të lejojë “korridore të gjelbra” mes vendeve anëtare të bllokut dhe kërcënoi se kjo gjë mund të çojë në largimin e Italisë nga unioni.

Sipas këtij plani, korridoret e turizmit do të lejojnë disa vende me numër të ulët ose në rënie të të infektuarve me koronavirus të hapin disa destinacione derisa kufijtë të hapen plotësisht.

“Ne nuk do të pranojmë asnjë marrëveshje dypalëshe brenda Bashkimit Europian që do të krijojnë destinacione të privilegjuara turistike”, deklaroi Conte.

“Turizmi nuk mund të kushtëzohen nga marrëveshje dypalëshe, në të kundërt ne largohemi nga Unioni. Nuk do ta lejojmë këtë gjë”, shtoi kryeministri italian duke nënvizuar se ky sektor përfaqëson 13% të GDP të vendit të tij.

Komentet e kryeministrit Conte vijnë pas debateve që janë hapur në BE nëse duhet të lejohen “korridoret e gjelbra” ose “flluskat e udhëtimit” mes vendeve bazuar në situatën e tyre epidemiologjike.

Conte bën me dije se ka paralajmëruar presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen se këto korridore mund të çojnë në “shkatërrimin” e tregut të përbashkët europian.