Duke filluar nga e hëna, hiqet krejtësisht fasha orare e lëvizjes në zonat që konsiderohen të gjelbra. Ky njoftim është bërë i ditur nga vetë kryeministri Edi Rama në bazë të vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë.
Sa i përket zonave të kuqe, Rama tha se fasha orare do të zgjatet deri në orën 21:00. Ndërsa hiqen në të gjithë vendin autorizimet për lëvizjen e këmbësorëve apo automjeteve.
Nga ana tjetër, do të vazhdojë të jetë e ndalur hyrja-dalja e mjeteve në zonat e kuqe.
“Fieri kthehet në zonë e gjelbër. Hiqet krejtësisht fasha orare e lëvizjes në zonat e gjelbërta. Fasha orare e lëvizjes në zonat e kuqe zgjatet deri në orën 21.00. Hiqen në të gjithë vendin autorizimet për lëvizjen e këmbësorëve apo automjeteve. Vazhdon të jetë e ndaluar hyrje–dalja e automjeteve në zonat e kuqe. Qeveria do të ndryshojë nesër aktin normativ për heqjen e ndalesës së studiove të televizioneve për të ftuar jo më shumë se një person. Do të mbetet vetëm kushti që të ftuarit të vendosen në distancë 2m nga njëri–tjetri”.
Ndërkohë, masa 14 ditore për të vetëkarantinuarit nuk ndryshon dhe shkelja e saj ndëshkohet nga ligji.
“Miq, me heqjen e të gjitha autorizimeve të lëvizjes, ekspozimi ndaj infeksionit rritet shumë dhe barra e çdo individi për të ruajtur veten e të tjerët gjithashtu! Ju lutem bëni më të mirën tuaj si deri tani dhe kujdes në mënyrën më të veçantë më të moshuarit e të sëmurët në familjet tuaja, të cilët duhet të vetëkufizojnë daljet maksimalisht.”