Aktualitet Budina: Të hetohet tentativa për vrasje e artistëve që ndodheshin në godinën...

Budina: Të hetohet tentativa për vrasje e artistëve që ndodheshin në godinën e Teatrit

Regjisori Robert Budina ishte i pari që mori fjalën në protestën e ditës së sotme, të thirrur një ditë pas prishjes së godinës së Teatrit Kombëtar.

Budina tregoi se si nisi aksioni policor në orët e para të ditës së diel: “Në 04:15, një pjesë e artistëve, aktivistëve, qytetarëve, pjesëtarëve të opozitës u sulmuam nga policia me një aksion blic të paimagjinueshëm. Një pjesë e jona u futëm brenda godinës dhe policia na sulmoi me një urrejtje të paimagjinueshme. Ndërkohë që ne ndodheshim brenda godinës, nisi shembja e godinës duke rrezikuar jetët tona dhe të atyre efektivëve të policisë që kishin ardhur për të na larguar”.

Budina i bëri thirrje SPAK-ut të hetojë atë që e quajti tentativë për vrasjen e artistëve: “Në rrënojat e teatrit janë kostume, mjetet tona personale dhe ato janë zhdukur të gjitha. Qëllimi i protestës sonë është një: ftojmë prokurorinë, qeverinë kryeministrin, ministrin e Brendshëm, opozitën, prokurorët e SPAK-ut të hetojnë këtë ngjarje, që ishte tentativë për vrasje e artistëve që ndodheshin brenda godinës. Kemi kontaktuar edhe me faktorin ndërkombëtar për t’i bërë të qartë çfarë ka ndodhur. Kemi marrë mbështetje dhe do të donim që kjo ngjarje të zbardhej sepse godina e teatrit nxori në pah të gjitha problemet e demokracisë shqiptare”.