Politika “Për çka po protestoni se po dukeni vërtetë qesharakë?”, Rama reagon pas...

“Për çka po protestoni se po dukeni vërtetë qesharakë?”, Rama reagon pas apelit të Çun Lajçit

Çun Lajçi

Pas apelit të bërë nga aktori dhe muzikanti Çun Lajçi, që kundërshton protestën për Teatrin, duke thënë se ato kushte mizerje atje i morën jetën Naim Frashërit, ka reaguar kryeministri Rama.

Mesazhi i Ramës:

ÇUN LAJÇIN e njoh si Çuni i Plisit të Bardhë e i një “grushti dhé”, ai që lidhi me një fill emocionesh unike diasporën shqiptare me tokën amë që digjej nga lufta andej bjeshkëve dhe u kthye përmes artit të tij, në ikonën shpirtërore të popullit gjatë asaj kohe të mallkuar…

Po ta njihja personalisht apo po të mos më kishte thumbuar edhe mua në rreshtat bashkëlidhur, nuk do ta postoja këtu çka ai ka postuar me një vrazhdësi kaq të kthjellët, mbi këtë sherrnajën vulgare për një godinë të gabuar që u shemb me një vonesë dhjetra e dhjetra vjeçare!

Uroj ta takoj Çunin e Bjeshkëve të Namuna kur si dy “të çmendun” mes plot normalësh, të hapim dyert e Teatrit të Ri Kombëtar, i cili nuk do të jetë si ai i Shkupit nga forma neoklasike e zgjedhur për arsye ideologjike, por padiskutim do të jetë një Teatër Kombëtar që do të hyjë në listën e teatrove më të bukur europianë të ndërtuar në kohët moderne😊

Shkrimi i Çun Lajçit:

Për çka po protestoni se po dukeni vërtetë qesharakë?

S’deshta,

o s’deshta me shkruaj,

se dashtë e kam ma shumë se ju, që çirreni sheshit, tue  derdhë lot pa lot, e tue mallkua pushtetin e Edin!

O dashtë e kam ma shum se ju, betohem, dhe e dini pse?

Se nji shekull m’ka nda me at teatër, nji bjeshkë kufi deri n’qiell, ju e kishit aty, unë veç n’andërra.

S’deshta, veç po iu them juve, që brenda hy s’i keni që dy dekada, e kam dashtë sa krejt atdheun, se viti 1972 m’futi n’zemrën e tij, e shfaqja “Viti 61” me mori me vete, e shpirti me mbeti tek Naimi, Pitarka, Edi, Ndreka, Maria, Agimi….

Por juve magjepsë iu kanë yjet që s’jetojnë, e arti i shpirtit tyne, e ditë s’keni për deshtoret e vogëla me tavane t’ulta, këthinat mizerje mbrapa s’kenës, tualetët që kutërbonin, e minjët që brenin kostumet!

Ju kurrë pyet s’keni për pluhnin që aktorët thithnin, e t’ftoftit që t’prente n’ije!

Zatën, këto kushte ia moren jetën Naim Frashêrit, e sa e sa të tjerëve!

Ju pelqye e keni nji sallë, e pyet si keni artistët për kushtet e vitit 1938 n’shekullin 21, ndaj shani e mallkoni e bani politikë me mjerimin e artistit!

Kjo asht turp!

Unë shkrova poezi, për kolloset e tij, e mija rrole n’at skenë, jo për te, edhe qava, se luejt kam edhe unë aty, dhe e di sa e mjerë ishte, por s’mund t’i dënoj artistet e rinjë me nji godinë që s’ishte kurrë teatër!

Tiranës i duhet teatri i ri, ashtu siç asht arti e koha, se e imja, dhe e atyne që ishin, nuk zhduket, pse rrenohet nji godinë. Ato mbesin n’letra, n’zemra, n’kujtime. Ajo asht histori që nuk rrenohet me nji godinë!

Ju betohem ma shumë se ju dashtë e kam, se dy vite emnin e Kosovë e mbajti, por pse protestoni tani kur s’asht ma?

Pse e politizoni? Për çka?

Për Shqipërinë? Për Kosovën?

Jo, s’asht e vërtetë, sepse po t’ishit patriot, do t’protestonit atë ditë, kur Vuçiç e Rama banin minishengene!

Teatri na duhet, e teatri do t’bahet, mija herë besoj, ma i mirë se ç’ishte. Edi ndofta asht i çmendun, por çmenduria e tij, mund ta sjell edhe nji teatër si ate të Shkupit! S’i dihet.

Mos bani politikë me nji ngrehinë që kishte mbetë si fantazmë, se po dukeni vërtetë qesharak!