Juventusi, si sot 24 vite më parë ngriti trofeun e fundit të Ligës së Kampionëve. Një gëzim që daton më 22 maj 1996. Ishte Gianluca Vialli, kapiten i asaj skuadre, që ngriti kupën “veshëgjatë” në qiellin e Romës.
Një gëzim i jashtëzakonshëm për “Zonjën e Vjetër”, e dizenjuar sipas ideve të Marcello Lippi. Një novator, herë pas here vizionar. Me pak fjalë, trajneri perfekt për botën bardhezi. I njëjti që u dashurua në mënyrë të çmendur në Torino.
Një skuadër me cilësi të lartë, e konsoliduar taktikisht prej teknikut nga Viareggio, i cili zbarkoi në Torino verën e vitit 1994. Viti i tij i parë në kryeqytetin Piemonte dhe menjëherë “trengjyrëshi”, i cili kishte munguar atje që nga viti 1986. Me pak fjalë, kurrë nuk kishte pasur zgjedhje më të përshtatshme, me “Zonjën e Vjetër” që preku majën në “Olimpico”.
Mund të ndodhë që një finale e Ligës së Kampionëve të përfundojë me penallti. Pra, gjithçka duhet të planifikohet deri në detajet më të vogla. 11-metërshat, natyrisht duhet të llogariten. Pikërisht falë penalltive, Juve arriti të kapërcejë formacionin e vështirë, të udhëhequr nga Louis Van Gaal. Një duel i hidhur deri në fund, rezultati i së cilit u hap nga Fabrizio Ravanelli, por i ekuilibruar nga Jari Litmanen.
Anekdotat pas vitesh janë tretur, përfshirë atë të zbuluar nga Vialli për “Corriere della Sera”: “Më duhej të godisja penalltinë e pestë ose të gjashtë. Ishte një lehtësim i pafund. Në “Olimpico” kisha humbur një penallti në Kupën e Botës 1990, kundër SHBA. Po ashtu, kisha humbur një tjetër kundër Romës. Atë natë e dija që ishte shansi im i fundit për të fituar Champions-in”.
Ish-sulmuesi nga Kremona, në fakt, nuk arriti ta godasë atë penallti. Detyra iu besua këmbëve të Ferrara, Pessotto, Padovano dhe Jugoviç. Të gjitha shënuan. Të gjithë kirurgjikalë, me shënjestër, pavarësisht përpjekjeve të Van der Sar. Hero ndër heronjtë, natyrisht ishte Jugoviç. Topi i pozicionuar në mënyrë të përpiktë, shikimi nga mbrojtësi ekstrem holandez, goditje në shenjë dhe më pas… delir. Juventusi triumfoi 4-2.
“Jam i lumtur dhe krenar që hyra në historinë e Juventusit dhe zemrat e tifozëve. Unë nuk isha as goditësi i pestë i penalltive, por më ndodhi mua, sidoqoftë. Me sa duket dikush nga lart më dha emocionin që do ta kujtoj gjithmonë”, – kujtonte Jugoviç.