Pak udhëheqës në të gjithë botën kanë marrë më shumë lëvdata dhe kritika, shpesh në të njëjtën kohë, për përballimin e pandemisë së koronavirusit, sa presidenti i El Salvadorit, Nayib Bukele.
Edhe pse kishte më pak se një vit në detyrë, në mars ai mori vendimin dramatik duke mbyllur vendin e tij pa u regjistruar asnjë rast me koronavirusi, duke thënë se duhet të qëndronin një hap para pandemisë.
Disa e lavdëruan për këtë veprim të vendosur, të tjerë thanë se po bëhej autoritar, duke shkelur Kushtetutën e vendit të tij.
38-vjeçari, është i pari president që prej fundit të luftës civile të vitit 1992, që nuk i përket asnjërës prej dy partive më të mëdha politike në vend. Gjyshërit e tij nga babai janë emigrantë palestinezë të ardhur në El Salvador. Ai kandidoi për president si njeriu jashtë sistemit, i famshëm në rrjetet sociale, me xhup lëkure, i cili do të shkundte vendin e dërrmuar nga korrupsioni dhe dhuna e bandave.
Fuqia në rrjetet sociale
Me thuajse 2 milionë ndjekës në Twitter dhe sondazhe miratimi në nivelet 90%, Bukele ka thyer zinxhirin tradicional të politikanëve në vend dhe ka siguruar tërheqjen e ndërkombëtarëve. Ai pranoi përgjegjësinë e vendit të tij në vitin 2019, pasi në brigjet e lumit Rio Grande mes Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara, u gjetën trupat e pajetë të një babai dhe vajzës së tij dyvjeçare. Para se të mbante fjalimin e parë në OKB në shtator, Bukele i kërkoi audiencës që të priste sa të bënte një “selfie”. Më vonë tha se ajo fotografi do të kishte më shumë reagime se sa fjalimi i tij.
Përplasja me Parlamentin
Por që para pandemisë, kritikët thonin se ai po shkrin ndarjen e pushteteve, duke e gërryer demokracinë e brishtë të vendit të tij. Në shkurt, ai i kërkoi parlamentit të miratonte kërkesën për mbi 100 milionë dollarë hua, për të pajisur më mirë forcat e rendit dhe ushtrinë, ndërkohë që ushtarë të armatosur u futën brenda godinës me urdhër të tij. Parlamenti ia mohoi kërkesën dhe imazhi i tij në arenën ndërkombëtare u dëmtua.
Pasi mbylli kufijtë, Bukele vendosi masa strikte karantine, por gjithashtu u dërgoi ushqime dhe para shtetasve të varfër te El Salvadorit. Ai urdhëroi ushtrinë që të arrestonte të gjithë ata që shkelnin masat, duke dërguar mijëra në “qendrat e karantinimit”. Deri më tani, sipas të dhënave nga Universiteti “Johns Hopkins”, në El Salvador janë regjistruar 1571 raste me koronavirus dhe 31 vdekje.
Rihapja
Bukele ka thënë se dëshiron që vendi të rihapet nga 6 qershori, por deputetët në Asamblenë Kombëtare thonë se duhet të ndodhë më herët. Të hënën, Gjykata Supreme rrëzoi vendimin e presidentit, duke thënë që ai nuk kishte autoritet për të zgjatur masat kundër koronavirusit dhe këshilloi palët që të punonin bashkë për të rihapur vendin.
Por edhe pse parlamentarët propozuan një ligj për të shfuqizuar menjëherë karantinën, Bukele u zotua se nuk do ta dekretojë, duke bërë gati “skenën” për një tjetër betejë mes palëve.