Drejtuesi shqiptar i një bande që merrej me trafikimin e njerëzve është dënuar në Britaninë e Madhe. Daily Mail shkruan se Vladimir Bardoshi ishte anëtari i tretë i grupit që u dënua.
Vendimi për të u dha gjatë kësaj jave dhe u vendos që të kalojë 9 vjet pas qelisë së burgut.
36-vjeçari ishte pjesë e një rrjeti që transportonte emigrantë të paligjshëm nga Franca në Britani përmes gomoneve.
Si funksiononte banda?
Bardoshi bashkëpunonte me dy shqiptarë të tjerë, Feim Vatën 38 vjeç dhe Xhemal Bacon 26 vjeç. Miqtë e tij janë arrestuar dhe më pas dënuar në vitin 2018 secili me nga 8 vjet burg. Të tre sëbashku udhëtonin përmes kanalit anglez gjatë natës dhe i linin emigrantët pranë Deal-it në Kent.
Puna për kapjen e Bardoshit ka qenë më e vështirë. Për të ishte lëshuar një urdhër arresti europian. Ai u kap në Spanjë dhe më pas u ekstradua në Mbretërinë e Bashkuar.
Muajin e kaluar, i riu shqiptar pranoi fajësinë për akuzën e thyerjes së ligjit të emigracionit për persona që nuk janë brenda BE-së.
Sipas Daily Mail, dy shokët e Bardoshit, Baco dhe Vata kanë kaluar të paktën tre herë Kanalin Anglez. Një natë në Tetor të vitit 2018, Baco është dokumentuar duke trafikuar gjashtë shqiptarë. Ai i mori në Francë dhe më pas i transportoi përmes një gomoneje.
Pasi arriti në breg, Baco fshehu gomonen në shkurre ndërsa emigrantët shkuan në një makinë që drejtohej nga Vata. Ky ishte edhe momenti i arrestimit të tyre.
Të njëjtin fat ndoqi edhe Bardoshi. Në momentin e dënimit të tyre, një prej drejtuesve të policisë Clair Trumman tha se kur i kishin gjetur shqiptarët ishin të gjithë të lagur dhe kishin ftohtë. Ata nuk kishin as jelekë shpëtimi dhe sipas ekspertëve është e pabesueshme që asnjë prej tyre nuk ka humbur jetën.