Bota Amerika përkujton të rënët, Trump: Armiku i ri, i padukshëm

Amerika përkujton të rënët, Trump: Armiku i ri, i padukshëm

Presidenti Donald Trump vendosi një buqetë me lule tek varri i ushtarit të panjohur në varrezat e Arlingtonit, në Virxhinia, ditën kur amerikanët i bëjnë homazhe ushtarëve të tyre.

Këtë vit, shumica e homazheve ishin të vogla ose online në vend të paradave për shkak të epidemisë. Më vonë, Trump foli në bazën Fort McHenry të Baltimores, ku kujtoi edhe viktimat e koronavirusit.

“Në muajt e fundit, vendi ynë dhe bota janë përfshirë në një formë të re beteje ndaj një armiku të padukshëm. Sërish, burrat dhe gratë e ushtrisë amerikane i janë përgjigjur thirrjes në detyrë dhe janë përballur me rrezikun”, deklaroi Trump.

Kandidati demokrat për president Joe Biden, i veshur me maskë, u shfaq për herë të parë pas dy muajsh duke vendosur një buqetë në parkun e veteranëve në vendlindjen e  tij, në Delauer.

Ndërkohë, duke përfituar nga dita e pushimit, dhjetëra mijëra amerikanë iu drejtuan plazheve, duke shpërfillur sërish masat anti-COVID.

Autoritetet paralajmëruan njerëzit që të mbajnë distancën sociale për të shmangur një valë të dytë të sëmundjes, që ka vrarë thuajse 100 mijë amerikanë.