Ekonomi Rama rikthen hidrocentralin e Skavicës: Do ta ndërtojmë me forcat tona

Rama rikthen hidrocentralin e Skavicës: Do ta ndërtojmë me forcat tona

Kryeministri Edi Rama deklaroi të mërkurën se qeveria e tij ka vendosur ta ndërtojë me para publike hidrocentralin e Skavicës.

Gjatë një konference për shtyp, ku u shpall kompania fituese e ndërtimit të parkut fotovoltaik të Karavastasë, Kryeministri foli gjatë për planet e zhvillimit të sektorit energjitik.

Teksa lavdëroi faktin se tashmë po niset të shfrytëzohet energjia e diellit, Rama tha se po punohet që të shfrytëzohet edhe energjia e erës, por që aktualisht kjo e fundit mbetet në fazat e shqyrtimit të projekt-planeve.

Më tej ai u ndal te hidrocentrali i Skavicës, i cili pesëdhjetë vite më parë, ishte planifikuar si hidrocentrali i parë i asaj që më vonë u quajt kaskada e Drinit.

Problemet me fondet, por dhe me kapacitetet që do të kishte ky hidrocentral, i cili do të shtrihet në Skavicë – një zonë ku kalon Drini i Zi mes Dibrës dhe Kukësit, – ka bërë që projekti të mbetej në sirtarë prej dekadash.

Rama e konsideroi “objekt strategjikisht, absolutisht të domosdoshëm, të vështirë dhe të komplikuar” që “të gjitha qeveritë e kanë pasur në plan por e kanë shtyrë” dhe që mund ta kompletojë projektin e Kaskadës së Drinit.

“Skavica ka qenë objektiv historik i të gjitha qeverive shqiptare dhe të atyre të para viteve ’90. Është një objekt strategjikisht absolutisht i domosdoshëm, i vështirë, i komplikuar dhe për këtë arsye gjithmonë qeveritë e kanë pasur në plan, por asnjëherë nuk e kanë shtyrë procesin deri në fund, ne jemi përpjekur në këto vite të gjejmë aktorët e duhur që të mund të investoheshin për këtë projekt, por tanimë kemi vendosur që, siç thoshin njëherë e një kohë, ta ndërtojmë me forcat tona dhe do ta ndërtojmë Skavicën me 100% shtetin,” – tha Rama, i cili kujtoi se përtej Skavicës qeveria po shqyrton edhe projekte të tjera hidrocentralesh.

Kryeministri u shpreh se projekti do të transformojë rrënjësisht sistemin, duke garantuar optimizimin e gjithë kaskadës, sepse “dihet që Skavica është një element i munguar i projektit origjinal të kaskadës së Drinit”.

“Skavica do jetë edhe fundi i derdhjes së ujit kur ka me tepri dhe i përmbytjeve që pastaj pasojnë si rezultat i derdhjes, pra i derdhjes së parave në formë uji në atë moment, duke shkaktuar dëme dhe duke i kushtuar pastaj buxhetit të shtetit gjithmonë shtrenjtë për të rikompensuar dhe për të ndihmuar njerëzit që të ringrihen,” – u shpreh lryeministri.

Lumi i Drinit është lumi me më shumë ndërhyrje në Shqipëri. Në vitet ’70 sistemi komunist parashikoi ndërtimin e një kaskade hidrocentralesh që niste nga Skavica në Dibër, Fierza në Kukës, Komani në Pukë dhe Vau i Dejës në Shkodër e më tej hidrocentrali i Bushatit, gjithashtu në Shkodër.

Nga projekti fillestar vetëm hidrocentrali i Skavicës nuk u ndërtua dot, ndërsa ai i Bushatit u tjetërsua. Sot në fund të kaskadës së Drinit është ndërtuar Hidrocentrali i Ashtës.

Pa hidrocentralin e Skavicës, Kaskada e Drinit përllogaritet se ka kapacitet të prodhojë mbi 1,400 MW energji, duke mbajtur peshën kryesore të energjisë.

Qeveri të ndryshme janë përpjekur ta rikthejnë projektin e Skavicës me propozime të ndryshme nga 150-350 MW që kërkon qindra milionë euro dhe që kërkohej të jepej në koncesion.

Ndërkohë që prej fillimvitit të shkuar qeveria ka punuar për një studim fizibiliteti rreth një projekti tjetër, që siç deklaroi dhe sot Rama, nuk do të mbetet më peng i investitorëve të huaj, pasi atë do ta ndërtojë vetë shteti.