Sport Robben: Guardiola, trajneri më i mirë që kam pasur në karrierë

Robben: Guardiola, trajneri më i mirë që kam pasur në karrierë

Arjen Robben ishte 30 vjeç kur Pep Guardiola mori drejtimin e Bayern Munchen. Spanjolli qëndroi tre vite te kampionët e Gjermanisë dhe pasi u largua, holandezi i krahut të djathtë, përveçse ishte zbavitur, ishte përmirësuar shumë në çdo aspekt.

36-vjeçari e cilëson më të mirin trajnerin e Manchester City dhe është një tifoz i madh i stilit të tij. Robben rikthehet të flasë për futboll dhe e bën në një prononcim të sinqertë për revistën Socrates, duke e mbyllur me hipotezën e rikthimit si futbollist.

“Guardiola është trajneri më i mirë që kam pasur në karrierë. Jam një tifoz i madh i tij. E adhuroj stilin ofensiv në futboll dhe Pep është një mjeshtër në këtë aspekt. Ai përqendrohet në sulm dhe në kontrollin e topit në çdo fazë të ndeshjes.

Kurrë nuk na ka munguar loja me top në stërvitje, diçka e tillë më ka pëlqyer shumë. Mëkat që nuk fituam Champions League me Guardiolën. Dëmtimet, pezullimet dhe vendimet e arbitrave, ndikuan që të eliminoheshim gjithmonë në gjysmëfinale.

Isha 30 vjeç kur Guardiola erdhi te Bayerni dhe, të jem i sinqertë, nuk e kisha menduar kurrë se do të përparoja në atë moshë. Mësova të lexoj më mirë lojën falë tij. Kanë qenë shumë të rëndësishme tre vitet që Pep qëndroi në Bavari.

Rikthimi në fushë? Herë pas here më shkon ndërmend, por ndoshta është një ndjenjë që qëndron përgjithmonë brenda një atleti. Nuk kam asgjë të veçantë në mendje“, përfundon Robben.