Kryeministri Edi Rama, me anë të një postimi në Facebook, ka njoftuar se janë rreth 110 000 punonjës që nuk marrin dot mbështetjen e qeverisë prej 40 000 lekësh sepse punëdhënësit nuk kanë kryer “detyrimin ligjor e moral”, duke mos aplikuar në faqen zyrtare të Tatimeve për shpërblimin e tyre. Kreu i qeverisë u tha punëdhënësve se kanë kohë deri në 5 qershor ta bëjnë këtë gjë, përndryshe ndaj tyre do të merret masë.
“Administrata Tatimore ka kryer të gjitha verifikimet për mijëra punonjës – më shumë sesa 109 mijë e 664 punonjësit e shpërblyer deri tani me Paketën e Zgjeruar – të cilëve u takon mbështetja e Qeverisë Shqiptare prej 40.000 lekësh! Ata ende nuk e marrin dot këtë shpërblim, sepse ju nuk keni kryer detyrimin tuaj ligjor e moral për ta, duke mos aplikuar në faqen zyrtare të Tatimeve për shpërblimin e tyre! Kjo është e turpshme, përveçse e dënueshme me ligjin në fuqi. Keni 1 javë kohë, deri në 5 qershor, të plotësoni online Formularin me të dhënat e individëve përfitues në sipërmarrjet tuaj, në të kundërt penalizimi për mosaplikim për cënimin e hapur të së drejtës së punonjësve tuaj, do të jetë i pashmangshëm”, shkruan Rama.
Më pas, ai iu drejtua punonjësve: “Keqardhje për këtë vonesë të krijuar nga punëdhënësit tuaj, e cila është toleruar deri këtu duke u shkruar e rishkruar atyre që ta përmbushin detyrimin, pa vepruar me gjobat përkatëse! Por, kjo situatë do të marrë fund brenda datës 5 qershor dhe në rast se tatimpaguesi ku ju jeni/keni qenë të punësuar, nuk do të aplikojë deri në 5 Qershor për ju, pagesa për ndihmën financiare do të kryhet menjëherë në llogarinë tuaj, në mënyrë automatike dhe punëdhënësi përkatës do të ndëshkohet”.