Operacioni Forca e Ligjit vijon zbatimin e ligjit Special për masat pasurore ndaj të dënuarve apo akuzuarve për krim të organizuar apo krime të rënda,
Këtë të enjte, OFL iu ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë shtetasve me iniciale O. I., K. A., dhe E. K., banues në Tiranë e të dënuar për veprën penale vjedhje me armë e dhunë.
Formulari për vetëdeklarimin e të ardhurave i është dërguar edhe një personi nën hetim. Bëhet fjalë për I. R., banues në Shkodër, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë, e kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”.
Këta individë duhet t’iu përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.