Sandro Rosell ka prezantuar në mënyrë telematike, librin e tij “Një përqafim i fortë, 645 ditë dhe netë”, përmes të cilit ish-presidenti i Barçës dëshironte të linte dëshminë e përvojave, reflektimeve, mendimeve, ëndrrave dhe maktheve të netëve të kaluara në burg. Rosell nuk i është fshehur në asnjë teme.
Titulli i librit
“Në burg, kur ditët kalojnë, megjithëse pata fatin të isha me një mik, si Joan, ti e kupton se të mungon dashuria fizike e njerëzve që doni, që i vlerëson. Ne e vendosëm këtë titull, sepse nënkupton atë që dëshiron më së shumti. Kur je i lirë e konsideron gjithçka normale, të paktën para pandemisë së Covid-19, por në burg është diçka shumë ekskluzive. Ishte shumë emocionuese kur merrje një përqafim të sinqertë atje. Kur të mbarojë pandemia e koronavirusit iu rekomandoj të gjithëve të përqafohen më shumë dhe më fort. Unë nuk pendohem për asgjë që kam shkruar. Ai që do të dëshiroja të veçoja më shumë është paragrafi i fundit i librit”.
Presidenca 2021
“Nuk do të ndodhë. Gjërat e njëjta nuk duhet të përsëriten. E kujtoj me nostalgji presidencës e Barçës, kohën kur njerëzit votuan për mua. E kam bërë me dashuri atë detyrë, është një përvojë e jashtëzakonshme, që do ta marr me vete në pjesën tjetër të jetës. Nuk është në planet e mia për të kandiduar sërish. I premtova nënës sime se, për sa kohë të jetë gjallë, nuk do ta bëja këtë. Shpresoj që ajo të jetojë për shumë vite. Edhe pse “kurrë mos thuaj kurrë”, mendoj se nuk do të bëhem më president i Barcelonës. Unë, pothuajse absolutisht mund të them jo”.
Falje
“Ata që e kanë bërë nënën time të qajë, nuk do t’i fal kurrë. Pjesën tjetër, të gjithë. Nëse më pyesni për zemërimin që kam, nga 0 deri në 10, unë jam te 2”.
Si u prit kur doli nga burgu
“Gjashtë gjyqtarë na shpallën të pafajshëm. Në Spanjë ekziston një prezumim i pafajësisë, edhe nëse nuk përmbushet kurrë. Përgjigjja e njerëzve në rrugë ishte më e mirë se sa kur isha president. Mbaj mend dy detaje. Duke ecur në Barcelonë, një zonjë më ndaloi dhe më pyeti nëse mund të më përqafonte e të më dhuronte një puthje. Janë ato përqafime, të përfshira edhe në faqet e librit. Gjithashtu, dihet se më kanë dërguar letra, email apo mesazhe, ku më kërkojnë falje, sepse kishin dyshuar tek unë. Është normale të dyshosh, sepse është e vështirë të mendosh që një shtet ka krijuar prova false, se Gjykata Kombëtare është shqetësuar për diçka që do të kishte ndodhur në Brazil. Të mendosh që një prokuror ngrihet në mëngjes dhe vendos të akuzojë një biznesmen nga Barcelona për diçka që kishte ndodhur, në teori, në Brazil, dhe se, përveç kësaj, ai kishte qenë president i Barçës…. Duhet të jetë dikush prapa drejtësisë, që e ka shkaktuar këtë. Flas për pjesën jo juridike të shtetit. Dhe dua ta di se për kë bëhet fjalë. Kësisoji, unë kam paraqitur një ankesë te gjykatësi Lamela”.
Karantina
“Ndihem keq duke e thënë këtë, por për mua ka qenë e mrekullueshme. Izolimi prej Covid-19 ishte një makth për të gjithë, i tmerrshëm për jetën dhe ekonominë, por për mua, nëse e krahasoj me të qenurit në burg… Kam qëndruar në shtëpi me gruan dhe vajzat e mia, jam çmallur me to. E kuptoj që për njerëzit ka qenë e vështirë, mbyllja do të ketë qenë e tmerrshme”.
Çështja “Neymar”
“Ishte mbyllur, por duket se dikush e ka detyruar gjykatën ta hapë atë. Teknikisht nuk ka asgjë, absolutisht asgjë të paligjshme në atë transferim. Është një klub që blen një lojtar, nuk e di se çfarë tjetër mund të shpjegohet, bashkë me të drejta të tjera. Ende e kam shumë të vështirë të kuptoj pse u hap si çështje. Unë vetëm mund të mendoj se do të gjej gjyqtarë të drejtë dhe se do të pastrohem përsëri nga akuzat absurde. Meqenëse e kam vuajtur tashmë pjesën e keqe të drejtësisë, kuptoj se kësi gjërash mund të ndodhin, por nuk është e drejtë”.
Të burgosurit e pavarësisë
“Barça ka ndihmuar shumë për t’i shpjeguar botës situatën e padrejtë të politikanëve të burgosur, të cilët kërkojnë pavarësinë e Katalonjës”.
E ardhmja
“Unë ende vuaj përndjekjen fiskale dhe e gjithë kjo ma largon dëshirën për të krijuar gjëra të reja. Tani për tani nuk e di se çfarë do të bëj. Unë kam për ta rikrijuar veten, sepse nuk mund ta kalosh tërë ditën duke mos bërë asgjë. Më pëlqen marketingu sportiv dhe futbolli në bazë, por nuk e di se çfarë do të bëj. Ende po kërkoj të vërtetën, drejtësia nuk ka funksionuar dhe duhet ta pyes veten pse. Kjo gjë më rëndon shumë. Drejtësia vetë duhet të hetojë sipas detyrës zyrtare”.
Messi
“Unë nuk i di detajet e çështjes së Messit. Drejtësia në këtë vend nuk pushon së më befasuari me hetime të pamjaftueshme, port ë stimuluara kushedi nga kush. Unë nuk mund të komentoj, sepse nuk e njoh atë çështje në thellësi. Kur dikush në shtet dëshiron të dëmtojë dikë, është e lehtë ta bëjë këtë përmes rrugës së taksave. Kur duhet të akuzosh dikë në mënyrë të dyshimtë, gjithmonë flitet për pastrim parash ose krim tatimor. Pikërisht këtu përmblidhet e gjitha”.