Pas Tiranës, harta e të infektuarve me Covid-19 zgjerohet në Mat, Lushnje dhe Durrës. Nga 23 rastet e reja, 19 janë kontakte të pacientëve të infektuar në QSUT.
“Janë testuar 276 qytetarë si të dyshuar të prekur me Covid-19 dhe janë konfirmuar 23 raste të konfirmuara pozitive, 12 prej të cilave në Tiranë. 8 janë kontakte të rasteve të mëparshme pozitive dhe 4 janë raste të reja në proces hetimi. 6 raste janë konfirmuar në Mat, kontakte të një paciente në QSUT dhe 4 raste në Lushnje, kontakte të rasteve pozitive të konfirmuar më herët në Tiranë dhe 1 rast i ri në Durrës”, tha Eugena Tomini.
Nga testet e fundit nuk janë zbuluar raste të tjera të të infektuarve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
“Nga hetimi i thelluar epidemiologjik në QSUT, ku janë testuar 57 personel shëndetësor dhe pacientë, dhe të gjithë kanë rezultuar negative”.
Numri i të hospitalizuarve është ulur, por në terapi intensive janë shtuar dy pacientë.
“Në spitalin infektiv aktualisht po trajtohen 23 pacientë, nga të cilët 5 janë në terapi intensive”.
Numri i infektuarve aktivë ka pësuar ulje.
“Në vendin tonë aktualisht janë 215 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë”.
Nga fillimi i epidemisë numri i rasteve të konfirmuara pozitivë në të gjithë vendin është 1099, por mbi 77 % janë të shëruar.