Kamerat e sigurisë kanë regjistruar momentin kur dy çifte i kanë bërë pritë në mes të ditës një makine policie në Meksikë. Ngjarja ka ndodhur të dielën në Guadalupe.
Në pamje shihet njëri nga çiftet që është duke kaluar rrugën qetësisht, kur papritur djali dhe vajza kthehen nga makina e policisë që kishte ndaluar para tyre dhe nisin të qëllojnë me pistoletë.
Oficerja e policisë që ishte në timon kishte ndaluar për t’i lënë këmbësorët që të kalonin rrugën, kur papritur drejt saj dhe kolegut vërshuan plumbat.
Një video tjetër, e xhiruar nga kofano e makinës së policisë, tregon se drejt makinës së policisë, në të njëjtin moment, qëlloi edhe një çift tjetër.
Të katër këta persona, që zbrazën rreth 20 plumba drejt makinës së policisë, janë ende në kërkim.
Pas atentatit, policët shihen duke dalë nga makina dhe duke shkuar në trotuar për të kërkuar ndihmë. Fatmirësisht, efektivët nuk u lënduan, pasi plumbat vetëm sa krisën xhamin e përparmë të makinës.