Sport Zi në Korçë, sëmundja mposht futbollistin 18-vjeçar të Skënderbeut

Zi në Korçë, sëmundja mposht futbollistin 18-vjeçar të Skënderbeut

Në moshën 18-vjeçare lojtari i akademisë së Skënderbeut Dorian Tahirllari ka humbur jetën. Tahirllari vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë, betejë të cilën pavarësisht përpjekjeve të shumta i riu nuk mundi dot ta fitonte. Futbollisti i talentuar me herët kishte mundur të luante dhe me ekipin U-17 të Skënderbeut, por dëshira për të luajtur me ekipin e parë nuk u realizua dot.

“Nuk ia dole të rikthehesh në fushë, por do të mbetesh gjithmonë në zemrat tona. Sepse ti je shpirti i luftës, sakrificës dhe dëshirës për të jetuar. Prehu në paqe Dorian!”, është mesazhi ngushëllues i Skënderbeut.

Ndërkohë ngushëllime për 18-vjeçarin kanë ardhur edhe nga presidenti i FSHF-së Armand Duka.

“Thellësisht i tronditur mësova për ndarjen e parakohshme nga jeta të futbollistit të Skënderbeut, Dorian Tahirllari. Një ndarje e dhimbshme, e cila preu në një moshë të re, jetën dhe ëndrrat e tij rinore. Dua t’i përcjell familjes, ngushëllime të thella për këtë humbje të rëndë. I gjithë komuniteti i futbollit, sot me lot në sy nderon kujtimin e këtij djaloshi të mirë që dëshironte shumë të bëhej futbollist i njohur, ndërsa sot udhëton drejt parajsës. Lamtumirë Dorian!”, – është shprehur Presidenti i FSHF-së, Armand Duka.