Politika Basha: Bizneset në krizë, Rama në Francë me taksat e shqiptarëve

Basha: Bizneset në krizë, Rama në Francë me taksat e shqiptarëve

Kreu i PD, Lulzim Basha, akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka përdorur paratë e taksapaguesve shqiptar për udhëtim me “charter” këtë fundjavë në Francë.

Nga Kombinati, ku takoi biznesin e zonës, kreu i opozitës tha se shqiptarët po vuajnë keqmenaxhimin e qeverisë, e cila po përfshihet çdo ditë në afera korruptive.

“Në zonën e Kombinatit në Tiranë situata është si kudo në Shqipëri. Ka një rënie të konsumit si kurrë më parë. Realiteti është i njëjtë kudo, bizneset po falimentojnë dhe njerëzit nuk plotësojnë dot as nevojat minimale. Kryefjala e kësaj situate të rënduar janë listat e personave që nuk kanë mundësi të paguajnë tek dyqanet e bukës dhe ushqimeve.

Varfëri kudo, biznese dhe qytetarë të lënë në mëshirë të fatit. Ndërkohë Edi Rama bredh në Europë me mijëra euro me charter, para që do të mjaftonin për të mbajtur mijëra biznese dhe familje në nevojë.

Kjo situatë e tmerrshme ka një përgjegjës, atë që ka vënë interesat e qytetarëve në funksion të xhepave të tij.

Ky realitet i neveritshëm në të cilin jetojmë duhet të ndryshojë sa më parë. Qytetarët e kanë kuptuar se fundi i kësaj qeverie është i afërt. Ata do t’i bashkohen alternativës sonë për një qeverisje që do ta kthejë vendin në normalitet”, u shpreh Basha.