Kryesore 4 atentatorët në Laç të veshur si policë, përdorën fishekë blind shpues

4 atentatorët në Laç të veshur si policë, përdorën fishekë blind shpues

21-vjeçari Kreshnik Tusha i cili mbeti i plagosur në atentatin në Laç ku humbën jetën Bujar Lika dhe Paulin Gjergji, ka mohuar të jetë autor i ekzekutimit të tyre. Tusha, i cili mori 3 plumba në kofshë, ndodhet në spitalin e Traumës, ku i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale, ndërsa është marrë në pyetje nga grupi hetimor. 21-vjeçari para hetuesve është shprehur se nuk dinte se si ishte plagosur dhe nga çfarë drejtimi i kishin ardhur plumbat. Ai është gjetur i gjakosur rreth 30 metra nga vendi i vrasjes së Likës dhe Gjergjit.

Detajet e reja

Burime nga grupi hetimor thonë se në pamjet filmike shihen 4 persona që hyjnë në ambientet e hotelit ku qëndronin Paulin Gjergji dhe Bujar Lika dhe qëllojnë në drejtim të tyre me armë tip kallashnikov me fishekë blind shpues.

Ata mbanin të veshur uniforma policie dhe kanë hyrë në hotel duke bërtitur “mos lëvizni, policia”.

Këtë version kanë dhënë në dëshmitë e tyre edhe të afërmit e viktimave që kanë qenë në vendin e ngjarjes, në momentin e krimit.

Në momentin që ka ndodhur atentati edhe njeri prej viktimave u është përgjigjur me armë. Pistoleta e tij u gjet me karikatorin e zbrazur.

Shënjestra 

Deri më tani 37-vjeçari Lika dyshohet se ishte objektivi i atentatit mafioz dhe autorët kanë pasur dijeni se prej disa kohësh ai lëvizte me makinë të blinduar, por nuk përjashtohet mundësia që në shënjestër të ketë qenë dhe miku i tij, Paulin Gjergji.

Hetimet e policisë dhe prokurorisë janë përqendruar tek e shkuara e 37-vjeçarit Lika, i cili rezulton të ketë qenë dhe shënjestra e këtij atentati me armë zjarri.

Një tjetër pistë kryesore është dhe hetimi i përplasjeve të grupeve të njohura dhe kryesore në botën e krimit.