Pengimi i kalimit të kamionëve të Shqipërisë për të hyrë në Kosovë nuk është pritur mirë nga pala shqiptare. Gjatë ditës së sotme, në të cilën ishte caktuar hapja e kufijve tokësorë me vendet e rajonit, një pjesë e kamionëve nga Shqipëria janë penguar nga pala kosovare.
Fillimisht pala kosovare tha se kamionët nuk mund të hynin në territorin kosovar pa kryer dezinfektimin dhe pa paguar një taksë prej 22 eurosh. Por, ky vendim nuk ka zgjatur shumë. Ministria e Brendshme e Kosovës me një reagim në faqen zyrtare në “Facebook”, ka njoftuar se e ka pezulluar taksën e dezinfektimit të mauneve.
Sipas ministrisë, masa e dezinfektimit të mauneve që hynin në Kosovë është aplikuar në kudër të zbatimit të protokolleve, që synojnë frenimin e përhapjes së pandemisë COVID-19.
“Pezullohet kontrata për dezinfektimin e mauneve që vijnë në Republikën e Kosovës. Dezinfektimi i kamionëve parashihej në kuadër të masave për luftimin e pandemisë së COVID-19. Nga ky moment importuesit nuk kanë nevojë t’i dezinfektojnë maunet në pikat kufitare”, thuhet në njoftimin e ministrisë kosovare.
Ndryshe nga tërheqja e masës për kamionët dhe maunet, qeveria e kryeministrit Kurti ka njoftuar se qytetarët që hyjnë nga Shqipëria në Kosovë duhet të plotësojnë dy kushte; e para të tregojnë tamponin dhe rezultatin e tij negativ, jo më i vjetër se katër ditë, ndërsa e dyta nëse nuk e kanë këtë masë, duhet me patjetër të pranojnë karantinimin për 7 ditë.
Ky vendim i qeverisë së Kosovës është marrë ditën e djeshme dhe mbetet në fuqi deri më datë 20 qershor.